E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: FMN vlerëson reformat e qeverisë

 

Fabiola Çela

Të ardhurat për frymë janë rritur, po ashtu edhe kushtet sociale janë përmirësuar ndjeshëm.
Ky ka qenë reagimi i kreut të Financave shqiptare, Ridvan Bode, ndaj atij të PS-së, Rama, lidhur me raportin më të fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “FMN-ja vëren se kushtet sociale janë përmirësuar në mënyrë drastike dhe Shqipëria është graduar sipas standardeve të IDA–s. Rritja e shpejtë ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe reminitancat e konsiderueshme, kanë bërë që Shqipëria të përmirësojë në mënyrë drastike situatën e saj sociale dhe ekonomike”, ka thënë ministri Bode. Madje, sipas tij, ndërkombëtarët e FMN-së dhe BB-së e kanë graduar Shqipërinë nga grupi i vendeve të varfra dhe me ekonomi emergjente, në grupin e vendeve me të ardhura mesatare dhe ekonomi në strukturim.
Raporti
Por nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me kreun e Financave shqiptare, drejtuesit e Partisë Socialiste. Madje, sipas tyre, raporti i FMN-së ishte goxha kritik për arritjet e qeverisë shqiptare. Menjëherë pas kësaj deklarate, ministri i Financave, Bode ka analizuar raportin e FMN-së. Sipas tij, në vitet e fundit PBB për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion, rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë 96%. 17 vendet në tranzicion kanë një rritje mesatarisht prej 50%. “Vendet baltike që kanë rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve në tranzicion, kanë një rritje prej 74%, vendet e BE–së me 50%, ndërkohë që vendet e tjera me ekonomi emergjente dhe në tranzicion kanë një rritje prej vetëm 38%”, ka theksuar Bode. Autoritetet shqiptare, sipas Fondit, u treguan të afta që përtej situatës energjetike rajonale dhe të brendshme të pafavorshme, të garantojnë një rritje ekonomike prej mbi 6% në dy vitet e fundit. Inflacioni është më i ulëti nga ai i vendeve me ekonomi të zhvilluara (BE) dhe më i ulëti edhe midis vendeve të rajonit.
Informaliteti
Biznesi i vogël është ende informal. Këtë herë deklarata është bërë nga vetë ministri i Financave, Bode. “Ne e kemi pranuar që informaliteti në tregun e punës, sidomos për biznesin e vogël, vazhdon të mbetet i lartë”, ka thënë ministri. Pikërisht për të “shëruar” një herë e mirë këtë plagë të ekonomisë, ekspertët e Ministrisë së Financave janë duke përpunuar akte nënligjore për të nxjerrë nga informaliteti këtë kategori biznesi. Ndërkohë, sipas ministrit Bode, vendimi për të ulur barrën fiskale do të ndikojë në uljen e informalitetit. Sipas vendimit të qeverisë, sigurimet shoqërore nuk do të jenë më 30%, por duke nisur nga 1 janari i 2009-ës do të jenë 15 për qind. Aktualisht një punëdhënës paguan 21.7 për qind të pagës për kontribute dhe i punësuari paguan 11.2 për qind. Pas 1 janarit, një punëdhënës do të paguajë vetëm 16.7 për qind, nga të cilat 1.7 për qind janë për sigurimin shëndetësor dhe një i punësuar do të vazhdojë të paguajë 11.2 për qind, nga të cilat 1.7 për qind janë për sigurimin shëndetësor. “Kjo ishte e fundit taksë që zbret në nivelin 50% nga ato që kanë qenë mbi biznesin. Kjo ka qenë një gungë në sistemin tonë. Kompanitë kanë pagur 30% mbi pagën si kontribut për sigurimet shoqërore, ndërkohë që individët paguajnë vetëm 10%”, ka thënë ministri. Sipas tij, këto parametra janë më normale dhe nuk bëjnë presion aq të madh fiskal ndaj kompanive për tregun e punës.

PS: Berisha dështoi me investimet në vitin 2007

Partia Socialiste i konsideron të dështuara investimet e vitit 2007. Deputeti i PS-së, Arben Malaj tha dje në një konferencë për shtyp, se mosrealizimet në fund të vitit rezultojnë më të mëdha sesa shtesa e buxhetit suplementar, që u miratua qershorin e kaluar. “Buxheti 2007 miratuar në dhjetor 2006 është 253,8 miliardë lekë plani. Buxheti suplementar 2007 miratuar në korrik 2007 është 264,3 miliardë lekë. Buxheti faktik 2007 është 251,6 miliardë lekë. Pse ky buxhet ka dështuar? Buxheti faktik është 2 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë më pak se plani. Buxheti faktik është 13 miliardë lekë ose 165 milionë dollarë më pak se buxheti suplementar. Mosrealizimet në fund të vitit janë më të mëdha se shtesa e buxhetit suplementar. Mosrealizimet në investimet publike janë 13,4 miliardë lekë ose 171 milionë dollarë, në total në ekonomi asnjë lekë investim shtesë nga buxheti suplementar”, u shpreh dje Malaj. Sipas tij, Kryeministri Berisha u tregua i paaftë në mirëqeverisjen e vendit dhe kryerjen e investime. Malaj bëri të ditur se: “Konstatohet lehtë se vendi rrezikohet nga tre elementë thelbësorë të keqqeverisjes : Kryeministri njeh shifrat por nuk i kupton ato, kjo është paaftësi kritike për qeverisjen e vendit. Kryeministri njeh shifrat, kupton dështimin, por e fsheh atë, ky është mashtrim ndaj publikut, një sëmundje e rëndë për qeverisjen e vendit. Kryeministri njeh shifrat, kupton dështimin dhe e deformon atë, duke pasqyruar si suksese dështime kaq të mëdha dhe konkrete, kjo është demagogji suplementare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›