Fidel Kastro nuk ka vdekur

Fidel Castro nuk ka vdekur. Lideri 86-vjeçar është shfaqur në publik për herë të parë pas shumë muajsh, duke hedhur poshtë zërat për situatën e rëndë shëndetësore të tij.
Që prej 2006 i ka dhënë pushtetin vëllait të tij Raul, pasi u sëmur me kancer . Stafi i një prej hoteleve kryesore të kryeqytetit të Havanës bëri të ditur se Kastro ka takuar një politikan nga Venezuela, ditën e shtunë. Ish-zëvendës presidenti i Venezuelës, Elias Jaua, konfirmoi se kishte qenë në një takim prej 5 orësh me 86-vjeçarin Kastro.
Jaua tha për gazetarët, se Fidel Kastro ishte “shumë mirë dhe shumë i kthjellët”.
Politikani venezuelian, i cili shërbeu si zëvendës president deri në zgjedhjet e fillim tetorit, tregoi gjithashtu një fotografi nga takimi. Fotoja e fundit e Kastros e bërë publike daton në mars të këtij viti, kur ish-lideri kubanez takoi për një kohë të shkurtër Papa Benediktin, gjatë vizitës së këtij të fundit në ishullin komunist.
Mungesa e gjatë e Kastros në ambjente publike i kishte rritur spekulimet në media se shëndeti i tij ishte përkeqësuar, apo madje edhe mund të ishte ndarë nga jeta. Megjithatë, Jaua tha se ish-lideri kubanez ishte në një formë të mirë.