Marseja e mbërthyer nga bandat dhe droga

Marseja është qyteti më i vjetër dhe më i varfër i Francës. 25 për qind e popullatës jeton nën nivelin e varfërisë dhe 18 për qind janë të papunë. Në disa lagje të qytetit papunësia mes të rinjve arrin deri në 50 për qind. Edhe niveli i krimit mes të rinjve po rritet.
“Aktualisht në Marsejë është e njëjta gjendje si në Chicagon e viteve të 30-ta, banda kriminale, dhunë, drogë”, shprehet Mohamed Ziani, një biznesmen që u rrit në këtë qytet port në brigjet e Mesdheut dhe ka përjetuar ndryshimet gjatë viteve. Marseja gjendet në udhëkryqin e rrugëve tregtare nga Italia në lindje, drejt Spanjës në perëndim. Pozita gjeografike e ka ndihmuar të bëhet pikë shpërndarjeje e një pjese të konsiderueshme të drogës që konsumohet në Evropë.
Aktualisht, droga shitet hapur në një numër kompleksesh shumë-katëshe banimi që ndodhen në lagje të ndryshme të qytetit. Armët e dorës shiten lire gjë që ka ndikuar në përmasat kërcënuese që ka marrë krimi dhe lufta mes bandave rivale. Këtë vit 21 vetë gjetën vdekjen në një betejë të përgjakshme mes karteleve për kontroll territori.