I mbaroi mandati, largohet nga detyra drejtori i SHKB

Drejtori i shkarkuar i SHKB, Astrit Halilaj
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, firmos largimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Astrit Halilaj, të cilit mësohet se i kishte mba-ruar mandati. Pas 7 vitesh drejtues i SHKB-së, që nga viti 2005, Halilaj është larguar nga kjo drejtori për tu emëruar në krye të Drejtorisë së Performancës në Policinë e Shtetit, që drejtohej nga bashkëshorti i kryeprokurores Ina Rama, Agron Nuredini. Ndërsa Nuredini mësohet se është emëruar këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Në vend të Astrit Halilajt është emëruar Bashkim Shehu, i cili aktualisht kishte detyrën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Burime nga Ministria e Brendshme thanë se, ndryshimet janë kryer për shkak të përfundimit të mandateve. Sipas të njëjtave burime, ministri Noka ka firmosur edhe disa lëvizje të tjera që do të kryhen në ditët në vijim, si në Ministri, ashtu edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Madje, nga fillimi i muajit shtator, edhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Drejtuesi i sapoemëruar në krye të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili prej kohësh ka qenë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, mësohet se ka një karrierë të mëparshme edhe në strukturat e Policisë së Shtetit. Ndryshime në pozicionet drejtuese pritet të ketë gjatë këtyre ditëve dhe në struktura të tjera në varësi të Ministrisë së Brendshme, kryesisht në Drejtorinë e Emergjencave Civile. Përsa i përket Policisë së Shtetit, ndryshimet të konkrete në këtë institucion, sipas burimeve, pritet të bëhen pas muajit shtator e në vazhdim, ku nuk përjashtohet dhe titullari më i lartë drejtues. Këto janë lëvizjet e para që kryhen në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit që pas emërimit të Flamur Nokës si ministër.
POLICIA RRUGORE
Me propozim të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, pritet të largohet nga detyra që mban aktualisht edhe Drejtues i Parë Vullnet Topalli, i cili është drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit. Burimet nuk dhanë shumë detaje rreth pozicionit të ri ku pritet të emërohet Topalli, po ashtu as ndonjë emër konkret që është propozuar për tu emëruar në vendin e tij pasi Vullnet Topalli të largohet nga detyra. Edhe për ndryshimet në Policinë Rrugore, burimet nuk shpjeguan motivacionin.
ETLEVA DELIA