E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, TEC-i borxhli ndaj Ujësjellësit, hartohen masat ndëshkuese

>Më shumë se 3.7 milion euro janë borxhet e krijuara ndër vite pranë Drejtorisë së Ujësjellësit në Fier. Debitori më i madh është TEC-i i Fierit në vlerën e rreth 1.7 milion euro, ndërkohë që më shumë se 2 milion euro i krijohen debit ndërmarrjes vetëm nga abonentët familjarë. Ndërsa për TEC-in krerët drejtues të ujësjellësit nuk deklarohen për shkak të mbylljes së tij, për abonentët familjarë duket se do të ketë masa të rënda deri në sanksione ligjore të rrepta. Drejtori i ujësjellës kanalizimeve në Fier, Agim Plepi ka deklaruar se së bashku me këshillin mbikëqyrës do të hidhen hapa konkretë. "Nuk mund të ecë një ndërmarrje pa pasur një performacë të mirë për të ardhmen. Debiti është i shpërndarë në vite, është i shpërndarë në abonentë familjarë dhe subjekte, pra abonent të industrisë në rastin konkret. Ne kemi nxjerrë një vendim të parapëlqyer edhe nga këshilli mbikëqyrës që të gjitha borxhet që nga viti 2006 duhet të paguhen menjëherë. Ndërkohë për borxhet që prej këtij viti, qytetarët do të bëjnë një kontratë me ne që ta njohin si debi dhe të deklarojnë se do të presin një urdhër të dytë nëse do të paguhet dhe kur. Nëse kjo që ne kemi artikuluar kohët e fundit si vendimtare, nuk respektohet, atëherë këta abonentë do të përballen me të gjithë sanksionet ligjore që parashikohen në ligj", ka deklaruar Plepi në fjalën e tij. Ndërkaq përgjatë gjithë kohës në qytetin e Fierit nuk kanë munguar përplasjet mes ujësjellësit dhe institucioneve të tjera vendore. Kjo për shkak se të gjitha këto institucione i kujtojnë borxhet që i kanë njëra-tjetrës dhe asnjëra prej tyre nuk e merr mundimin të paguajë. Rasti më tipik për debite është ai i elektrikut dhe ujësjellësit ku vlen të përmendet fakti që për këtë 18 vjeçar, e vetmja gjë që ka funksionuar mes tyre kanë qenë pikërisht shkresat zyrtare të dërguar sa në njërën në tjetrën ndërmarrje. Vetëm përpara pak muajsh krerët e OSSH-së akuzuan ujësjellësin se nuk ka qenë i rregullt me faturat, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se do të ndërpresë ujin për këto institucione që nuk paguajnë. Gjithsesi ajo që vlen të përmendet është që mungesa e të ardhurave dhe fondet e cunguara kanë lënë rrjetin e ujësjellësit ët amortizohet çdo ditë e më shumë dukë bërë që jo vetëm një pjesë e mirë e qytetarëve të mos furnizohen me ujë, por edhe të rrezikohen nga uji i ndotur. Ndërkohë, nga qytetarët ka qenë kjo një nga arsyet që nuk e shlyejnë sasinë e konsumuar ujit të pijshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›