E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier: Tension për kreun e Qarkut, Rama mbledh përfaqësuesit e PS-së

Policia ne hyrjen e godines se Qarkut

(I përditësuar)-  Beteja për postin e kryetarit të qarkut është tensionuar në Fier ndërkohë që paraditen e sotme Vangjel Ndreka, është ulur për here të parë në pozicionin e kryetarit të qarkut. Pretendenti tjetër për këtë post, Artur Shehu që përfaqëson Aleancën për Qytetarin mbërriti në ambientet e institucionit të qarkut.

Situata e krijuar në institucion ka qënë shumë e tensionuar në momentin që dy pretendentët janë përballur me njëri- tjetrin. Burime nga Fieri bëjnë të ditur se gjatë gjithë ditës së sotme godina e e Këshillit të Qarkut ishte e rrethuar me forca të shumta të policisë dhe simpatizant të të dy kampeve politike.

Burime nga PS- ja thanë se kreu i opozitës Edi Rama është nisur urgjent në Fier për të bërë një mbledhje me përfaqësuesit e PS- së. Në përfundim të takimit Rama nuk ka komentuar asgjë për mediat, në lidhje me vendimet e marra apo me temat e diskutuara.

Pas tensionit të krijuar në Fier prezenca e Ramës u bë e domosdoshme.

*****

Fier, Artur Shehu zgjidhet kryetar Këshilli, PS: Është shkelur vendimi i Gjykatës

Këshilltarët e djathtë zgjodhën Artur Shehun në krye Këshillit të qarkut të Fierit. Ndërkohë që Partia Socialiste në Fier e ka cilësuar si të paligjshme zhvillimin e mbledhjes pasi sipas tyre është shkelur vendimi i Gjykatës për pezullimin e saj.

Vendimi për pezullimin e mbledhjes pritet të dalë nesër ndërkohë që më herët përfaqësuesit e PS-së së Fierit kishin kërkuar pak ditë më parë që kjo mbledhje të mos zhvillohej, pa u prononcuar Gjykata.

******

Fier, PS proteston kundër mbledhjes së Këshillit të Qarkut 

Partia Socialiste e Fierit ka zhvilluar sot një protestë para Këshillit të Qarkut të Fierit. Shkak për këtë protestë është bërë mbledhja e Këshillit të Qarkut, e parashikuar për sot, të cilën PS e konsideron të paligjshme. Socialistët e Fierit kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjen për në nesër, atëherë kur jepet edhe vendimi i gjykatës për ankimimin e bërë ndaj vendimit të prefektit Bujar Hasa.

Mësohet se disa nga protestuesit kanë hyrë në sallën ku do të niste mbledhja e thirrur nga prefekti Hasa, për të penguar zhvillimin e saj.

Kreu i Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreka, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, duke theksuar se futja në sallë e socialistëve që kishin ardhur për të protestuar është thjesht për të shprehur indinjatën e tyre. Prefekti i Fierit po shkel ligjin, nuk respekton vendimin e gjykatës. Ai po kërkon të ndërtojë struktura paralele, tha Ndreka.

Partia Socialiste nuk është pajtuar me mënyrën se si u konstituua Këshilli i Qarkut Fier. Një ditë më parë, në mbledhjen e deputetëve të PS, kreu Rama u shpreh se tentativa e PD-së për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve edhe në këshillat e qarqeve janë në rrezik për konsensusin e shumëpritur mes dy palëve.

I bëj thirrje Ilirit dhe Saliut: Ndalni banditët lokalë, që me dru kërkojnë të përmbysin zgjedhjet legjitime. Kjo që po ndodh është kërcënim i hapur për opozitën dhe rrezik për konsensusin, që duam të japim për të ardhmen, deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›