E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërfytyrimi i Prishtinës

Nga Anila Shuka, DW

“Kam parë shumë ndërtime kaotike deri tani, por kështu si në Kosovë kam përshtypjen se nuk kam parë kurrë”, - thotë Kai Fëkler, publicist dhe urbanist nga Berlini. Dhe meqë kaosi urbanistik në Prishtinë është aq i rrallë, Fëkler ka mbledhur fotografi nga çdo cep i Prishtinës dhe i ka radhitur – duhet thënë në mënyrë po aq kaotike, sa edhe vetë ndërtimet në Kosovë – në një libër që sapo ka dalë në gjermanisht dhe anglisht.

Plane utopike

“Turbo Urbanizëm” e quan ai atë bum ndërtesash, kioskash dhe vilash, rrugësh dhe rrugicash të ngritura në kryeqytetin e Kosovës mbas vitit 1999, në kohën e qeverisjes së administratës ndërkombëtare të UNMIK: “Urbanistët nuk i pyeti askush. Zyra e planifikimit të qytetit faktikisht nuk arriti të bënte asgjë përveç një plani strategjik aq utopik e që nuk ka shans të realizohet”, - thotë Fëkler ai në intervistë për Deutsche Welle.

Në vend të planit utopik të administratës ndërkombëtare, po ngrihen vila disakatëshe, arkitektura e të cilave nuk orientohet më te planimetria e vjetër të qytetit, por i afrohet më shumë stilit turbo: që do të thotë një përzierje viktoriano-klasicisto- orientalo-amerikano-hollivudiane.

Fëkler përshkruan dëmin me një shprehje gjermane: “Fëmija ka rënë në pus tanimë!” Problemet që janë krijuar nuk mund të zhbëhen. Bumi i ndërtimeve e ka shkatërruar Prishtinën.”

Administratë e pafuqishme

“Por Prishtina është gjithandej”, - thotë Fëkler, që në titull të librit: “Prishtina is everywhere”.

“Këtë fenomen e hasim në shumë vende që kanë dalë nga kriza e që ngjashëm si Prishtina për një kohë shumë të shkurtër janë konfrontuar me dyfishimin e popullsisë. Zakonisht janë vende në tranzicion ku shteti është shumë i dobët dhe nuk di se si të reagojë ndaj situatës së re.”

Një dallim mes Prishtinës dhe Kabulit apo Tiranës, të cilat i merr si shembull Fëkler, është se ajo u qeveris nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa në menaxhimin e krizës së refugjatëve OKB u tregua e shpejtë dhe efektive, para bumit urbanistik të Prishtinës ajo dështoi, thotë Fëkler: “Unë mendoj se këtu mungonte vullneti politik. Mbas luftës KFOR filloi të ndërhynte për të penguar ndërtimet pa leje, por dikur u tërhoq. Kjo ndodhi, pasi u vra drejtuesi i zyrës për planifikimin e qytetit, Rexhep Luci. Që atëherë, administrata e OKB nuk ka ndërmarrë asgjë.”

Shpërfytyrimi i Prishtinës është aspekti estetik i problemit. “Problemi tjetër është se mungojnë rrugët për automjetet e shpëtimit, zjarrfikëset e ambulancat, mungojnë standardet e sigurisë, për shkak të kateve të ndërtuara mbi ndërtesat e vjetra pa respektuar ligjet e statikës”, - thotë Fëkler. Këto standarde mund të arrihen vetëm në negociata me pronarët gjatë procesit të legalizimit. Fëkler ka ngritur në Kosovë së bashku me Florina Jerliun, Visar Gecin dhe Vlora Navakazin organizatën joqeveritare “Archis Interventions”, qëllimi i së cilës është pikërisht të ndërmjetësojë mes privatëve dhe organeve lokale. Ndonëse ky libër duket më tepër si reklamë për këtë OJQ, ai cek një problem që prek këdo dhe para të cilit çdo administratë duket e pafuqishme: katastrofën urbanistike që kërcënon Prishtinën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›