Qëllohet me armë nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Fushë-Krujës
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Fushë-Krujës, njëkohësisht dhe kreu i LSI në këtë qytet, Astrit Baku, është qëlluar me armë ditën e djeshme, pas një sherri banal. Bashkë me të është plagosur edhe bashkëshortja e tij, si dhe dy persona të tjerë, një nga djemtë e përfshirë në sherr, Haxhi Caca, si dhe një fëmijë 12 vjeç, me inicialet F. K, i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Policia nuk bëri të ditur, nëse Baku ka qenë i përfshirë në zënkën që është zhvilluar në lokalin e tij, teksa së bashku me të shoqen ai gjendet në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku edhe po kurohet.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme, teksa nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Fushë-Krujës, Astrit Baku, është plagosur, ndërsa ishte ulur me të shoqen në një lokal në qendër të qytetit, lokal në pronësi të këtyre të fundit prej disa kohësh. “Astrit Baku, 30 vjeç, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Fushë-Krujës, me profesion mësues anglishteje në fshatin Derven, ka mbetur i plagosur në një atentat”, - bëri të ditur policia, duke shtuar se si pasojë e të shtënave ka mbetur e plagosur edhe bashkëshortja e tij. Përveç Astrit dhe Anila Bakut mësohet se në ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe një nga djemtë e përfshirë në sherr, Haxhi Caca, 24 vjeç, si dhe një fëmijë 12 vjeç, me inicialet F. K, që ka qenë në vendin e ngjarjes rastësisht. Fillimisht u fol për një atentat, por në fakt, pas hetimeve të para, policia arriti në përfundimin se gjithçka ishte pasojë e një debati, që më pas precipitoi edhe në përdorimin e armëve. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Astrit Baku, së bashku me të shoqen, janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Sipas punonjësve të këtij spitali, gjendja e dy të plagosurve, edhe pse kanë marrë plagë të rënda, nuk paraqet rrezik për jetën. Dyshimet e para për ngjarjen e ndodhur gjatë mesditës së djeshme në qytetin e Fushë-Krujës janë për një grindje të çastit, për motive ende të paqarta, teksa policia bëri të ditur se po heton të gjitha pistat e mundshme për të zbardhur ngjarjen, ku mbeti i plagosur nënkryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Fushë-Krujës. Sakaq, uniformat blu të policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të plagosjes së Astrit Bakut. Sipas burimeve të policisë, atentatorët kanë qenë me një makinë me targa të Fierit dhe sipas dëshmitarëve, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, menjëherë pas të shtënave. Burimet e mësipërme thanë se aktualisht po zhvillohen në fshatrat Nikël dhe Larushkë, ku dhe dyshohet se janë strehuar të dyshuarit.