Mosrealizimi i investimeve, do të shpërndahen 120 milionë dollarë
Realizimi në shkallë të dobët i investimeve të buxhetit të këtij viti ka bërë që Ministria e Financave të hartojë një projekt të rishpërndarjes së fondeve. Të dhëna nga kjo ministri bëjnë me dije se sasia e parave që mendohet të shkojnë në projekte apo zëra të tjerë nga fondi i investimeve është rreth 120 milionë dollarë. Më shumë se gjysma e këtyre e parave do të shkojnë në rrugën Durrës-Kukës, e cila është duke ecur mirë me punimet dhe mund të vërë në punë edhe pará të tjera veç atyre që janë caktuar në buxhetin e mesit të këtij viti. Rreth 30 milionë dollarë të tjera do të shkojnë në rrugët që po ndërtohen në zonën e bregdetit jonian dhe në rrugën Gjirokastër-Tepelenë. Rruga Fier-Vlorë do të përfitojë edhe ajo një sasi parash, e cila ende nuk është e qartë për specialistët e Ministrisë së Financave se sa do të jetë, pasi nuk dihet se cili është kapaciteti për t’i vënë në punë në ato segmente. Ministria e Financave e kishte bërë të qartë që në fillim të gjysmës së këtij viti se ajo do t’i rishpërndante paratë, sapo të shikonte se ministritë nuk po mundnin t’i vinin ato në punë dhe në të vërtetë Ministria e Financave që në fillim të shtatorit ka nisur të shqyrtojë të gjitha projektet, të cilat nuk do të mund të financoheshin apo nuk do të vinin në punë paratë e parashikuara. Realizmi i investimeve deri në fund të shtatorit ishte 48 për qind e totalit të investimeve, ndërkohë që kanë mbetur dy muaj dhe qeveria do të duhet të investojë rreth 400 milionë dollarë, gjë që është vërtetë shumë e vështirtë. Veç kësaj qeveria është vënë në vështirësi të mëdha, sepse realizimi i të ardhurave ka shfaqur probleme dhe për nëntë muaj në buxhet mungojnë 40 milionë dollarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar e kishte shfaqur këtë shqetësim në raportin që publikoi në gusht, kur thoshte se fuqia taksapaguese e biznesit në vend është në vështirësi. Kjo gjë tashmë është reflektuar dhe është provuar se fuqia taksapaguese nuk është e tillë, sa të përmbushë shifrat e buxhetit. Qeveria me këto shifra ka shkuar me sa duket në limitet e fuqisë së biznesit, të atij biznesi që paguan rregullisht detyrimet. Çuarja deri në këtë shifër e vlerës së të ardhurave nga tatimet dhe doganat ka patur efektin e vet dhe numri i të punësuarve rishtas nga biznesi është thuajse zero. Kjo është një nga gjërat më vështirë të shpjegueshme në Shqipëri, ku ekonomia rritet me 6 për qind dhe numri i njerëzve që gjejnë punë është i papërfillshëm.