Alibeaj, ky ministër gënjeshtar
Mbas dy javësh heshtjeje, i vënë nën akuzë konkrete, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mbrohet duke gënjyer. Në një intervistë të dhënë për BBC, ai mundohet të anashkalojë akuzat direkte se është njëri nga autorët e gjithë akteve juridike që paraprinë tragjedinë e Gërdecit, duke komentuar se sulme të tilla i vijnë nga një shtyp i pozicionuar qartësisht majtas. Dhe më pas vazhdon edhe më tej, kësaj radhe duke gënjyer hapur dhe qartësisht se detyra e mëparshme që ka mbajtur, e ka detyruar që të ndiqte dhe një komponent legjislativ: “...atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakuum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit, do të duhej të jepte këshillime juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive”.
Nuk mohon pjesëmarrjen e tij në procesin e hartimit të ligjeve për Gërdecin, por shton se një gjë të tillë e ka bërë edhe në shumë raste të tjera. Nga ky pohim të llojit, rregullova vetullat, por nxora sytë, Alibeaj konsumon dy gafa të jashtëzakonshme: e para, askund në rregulloren e veprimtarisë së departamentit që drejtonte nuk i jepet e drejta për të shkruar ligje dhe e dyta, e gjithë veprimtaria e tij detyrimisht duhej t´i raportohej eprorit të tij direkt, kryeministrit, Sali Berisha. Çka e nxjerr Alibeajn ballë për ballë pikërisht me të: e ka vënë në dijeni kryeministrin për punën që bënte, ndërkohë që ky i fundit, jo vetëm një herë, mbrohet nga akuzat ndaj tij duke pretenduar se nuk dinte asgjë për Gërdecin. Mes Shilës dhe Karibdës, Alibeaj ndodhet tani në mes të kërkesës që pritet të zyrtarizohet nga prokuroria për t´u marrë në pyetje dhe mërisë së kryeministrit, të cilit ai po i shemb alibinë shumëmujore, nuk isha aty, nuk dija gjë!
Dokumenti i radhës, VKM e shkurtit 2006
“MAPO” ka siguruar vendimin e qeverisë shqiptare të datës 15 shkurt 2006, me numër 94, i cili në asnjë rresht të tillë nuk i jep të drejtë drejtuesit të departamentit të ndërhyjë, në të gjitha rrethanat, në procesin e shkrimit dhe hartimit të ligjeve. Ky vendim, natyrisht është i firmosur nga kryeministri, Sali Berisha. Ai është një rregullore për funksionin dhe procedurat e kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. Ka 23 nene.
Sipas kësaj rregulloreje, misioni i departamentit është “...të kryejë verifikimin (hetimin administrativ) e zbatimit të ligjshmërisë dhe/ose kallëzimeve për praktika abuzive, korruptive a arbitrare, të identifikojë punonjësit e administratës publike, të cilët me veprime apo mosveprime kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi, të përgatisë rekomandime për çështjet përfshi dhe llojet e masave ndaj autorëve, si dhe të ndërgjegjësojë institucionet publike në luftë kundër korrupsionit”.
Rregullorja i jep të drejtë departamentit të kontrollojë të gjitha ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit a ministrave, administratës së prefektëve, si dhe shoqëritë tregtare me kapital pjesërisht a tërësisht shtetëror. Departamenti ka të drejtën – gjithmonë sipas së njëjtës rregullore – të ekzaminojë praktikat dhe procedurat e punës për identifikimin, zvogëlimin dhe parandalimin e mundësive për korrupsion, të verifikojë ligjshmërinë e akteve administrative, dhe të bëjë propozime pranë kryeministrit të masave për çështjet e shqyrtuara. I vetmi shërbim këshillimi që mund të bënte departamenti, është ai për seminare me nëpunës civilë dhe ky, madje, në bashkëpunim me departamentin e shërbimit civil. Ky fakt – të bëjë propozime përpara kryeministrit – e ndalon Alibeajn e djeshëm që të legjitimojë punën e tij përballë këshilltarit Juridik të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ta “këshillojë” atë.
Gjithë pjesa tjetër e rregullores kodifikon procedurën e kontrollit që mund të ushtrojë ky departament.
Mbrojtja evazive direkt godet kryeministrin
Vetëm neni i fundit i rregullores, me një gjykim të sforcuar, mund të krijojë një hapësirë për përfshirjen e ish-luftëtarit legal antikorrupsion në çështjen e Gërdecit. Neni 23 qartëson se, nëse mbas një akti kontrolli vërehen se “vendimet, urdhrat... nuk përputhen me aktet ligjore në fuqi... në aktkontroll përfshihet dhe rekomandimi për shfuqizimin e tyre... Rekomandimi i dërgohet kryeministrit”. Alibeaj duhet të saktësojë, nëse ka bërë një kontroll të tillë në Ministrinë e Mbrojtjes – gjithmonë të lidhur me çështjen e Gërdecit - dhe nëse ka pasur probleme në këtë dikaster, dhe nëse i ka raportuar një gjë të tillë kryeministrit. Duke marrë parasysh në një rast të tillë edhe faktin se në këtë mënyrë përfshin direkt Berishën në çështjen e Gërdecit.
Kjo rregullore që përcakton se, kur vihen re probleme në akte ligjore, “relacioni i rekomandon kryeministrit nevojën për ndryshime së bashku me sugjerimet për ndryshime në aktet përkatëse”. Formuluar në këtë mënyrë, gjithashtu, në asnjë rrethanë nuk legjitimohet përfshirja e zotit Alibeaj në shkrimin dhe hartimin e legjislacionit që mundësoi shpërthimin kriminal të Gërdecit.
Gjithë armiqtë e ministrit
Ka nisur prej kohësh një luftë e hapur mes institucionit të ministrit Alibeaj dhe prokurorisë. Një konflikt që përfshin edhe të gjithë segmentet e tjerë të sistemit të drejtësisë, gjyqësorin, KLD, avokatinë, noterinë dhe përmbarimin. Një konflikt që ka për bazë tendencën e hapur të ministrit të Drejtësisë për vënien e tyre nën kontroll, të paktën sipas mendimit të këtyre segmenteve, por dhe të partnerëve të huaj që monitorojnë reformën në drejtësi. Vetë Alibeaj duhet të llogarisë dhe faktin, që për një “kapriço” të rastit, do të bëhet dhe vetë klient i këtyre institucioneve: do t´i duhet t´i përgjigjet ftesës për të dëshmuar në prokurori, do t´i duhet ndoshta të mbrohet përpara një trupi gjykatësish, do t´i duhet të prokurojë një avokat të zotin dhe duhet të mendojë më mirë se si duhet të “noterizojë” dhe justifikojë autorësinë e tij për ligjet që hartoi për Gërdecin. LSI ka kërkuar deri dhe largimin e tij nga detyra, pritet kjo kërkesë të bashkojë të gjithë faktorët dhe aktorët e opozitës, por dhe “armiqtë” në radhët e “miqve” të tij në mazhorancë. Dhe duke perifrazuar një shprehje që ai lexoi në ceremoninë mortore të zotit Gazidede: “Zoti mori pranë vetes mishërimin e vlerave më të larta morale e hyjnore në oborrin e parajsës së vet elitare”, mund të thuhet pa frikë se “prokuroria po mbledh pranë oborrit të saj të pasmë të errët gjithë elitën shtetërore që gatoi krimin e Gërdecit”. Një nga ta është dhe vetë Alibeaj, ministri me alibi të rreme.
Prezantimi zyrtar, çfarë është Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit?
Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave ka një përshkrim të shkurtër të objektit të veprimtarisë së institucionit që ka drejtuar për pak më shumë se dy vjet ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Por, po në këtë faqe mungon vendimi i Këshillit të Ministrave, me numër 94, datë 15 shkurt 2006, që rregullon veprimtarinë e këtij departamenti.
Zyrtarisht, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave është riorganizuar dhe funksionon në bazë të vendimit nr. 94, datë 15.02.2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores për funksionet dhe procedurat e kontrollit të brendshëm administrativ dhe antikorrupsion të Këshillit të Ministrave”. Ky departament është struktura përgjegjëse për kontrollin e brendshëm administrativ dhe antikorrupsionin në institucionet e pushtetit ekzekutiv si ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit a ministrave, administratës së prefektit, si dhe në shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
Misioni i departamentit është të kryejë verifikimin e hetimin administrativ të zbatimit të ligjshmërisë dhe/ose kallëzimeve për praktika abuzive, korruptive a arbitrare, të identifikojë punonjësit e administratës publike, të cilët me veprime apo mosveprime kanë kryer shkelje te akteve ligjore/nënligjore në fuqi, të përgatisë rekomandime për çështjet përfshi edhe llojin e masave ndaj autorëve, si dhe të ndërgjegjësojë institucionet publike në luftë kundër korrupsionit.
Në veprimtarinë e tij, ky departament përqendrohet në zbatimin e kuadrit ligjor duke verifikuar me përparësi shkeljet, abuzimet dhe praktikat korruptive të zyrtarëve publikë. Departamenti kryesohet nga drejtori dhe ka në përbërjen e tij 10 inspektorë
Standardi i lartë ‘Rusmali’ dhe standardi i dyfishtë
Këto ditë pritet të përurohet godina e re e Gjykatës së Krimeve të Rënda, një investim shumëmilionësh me grant evropian. Aktualisht po punohet intensivisht edhe për përfundimin e një lokali shërbimesh brenda godinës, i cili do t´u shërbejë si gjykatësve, po ashtu edhe qytetarëve që do të kenë punë në këtë gjykatë. Parashikohet, siç ndodh në vende të tilla të mbipopulluara, që klientela të jetë mjaft e madhe dhe si rrjedhim, edhe fitimi i siguruar nga lokali. Nuk dihet se kush do ta marrë në përdorim – me qira – këtë pronë shtetërore, por dihet se “firma” e fundit (apo më mirë vendimmarrja reale) që do të hidhet për këtë objekt, do të jetë e vartësve të ministrit të Drejtësisë, Alibeaj. Rusmali një vit më parë u dorëhoq vetëm për shkak të përmendjes së emrit të vëllait të tij në një veprimtari që nuk pati asnjë pasojë financiare dhe ky akt u quajt standard i lartë moral. Pritet të shihet se çfarë standardesh të reja do të vendosen më pas, nëse në mënyrë hipotetike, ndodh diçka e ngjashme me ndonjë zyrtar tjetër të lartë shtetëror. Në Shqipëri është verifikuar që lumi rrjedh më shumë se njëherë nën të njëjtën urë; Alibeaj nuk ka asnjë arsye të paragjykohet se do të ulë kokën përpara një standardi të vendosur nga paraardhësi i tij që u dorëhoq – të paktën ky ishte motivi publik - për shkak të përmendjes së mundshme të emrit të vëllait të tij
Humbja 10 milionë euro
Ishte planifikuar që sistemi i drejtësisë të përfitonte nga programi IPA 2009 (Instrumenti për para-aderimin në BE) një grant prej 10 milionë eurosh, pjesa dërmuese e të cilit do të përdorej për ndërtimin e godinës së paraburgimit në Gjirokastër. Ky projekt është pjesë e masterplanit për gjithë sistemin e paraburgimit në Shqipëri, të identifikuar në vijimësi si një nga problemet më serioze për të drejtat e njeriut në vend. Trualli ku do të ndërtohej godina është siguruar e po kështu ishte garantuar edhe financimi i nevojshëm. Kështu ka qenë deri në takimin e fundit që autoritetet e ministrisë së drejtuar nga Alibeaj zhvilluan më 2 tetor të këtij viti me misionin e Brukselit. Si përfundim, BE, për shkak të ngarkesës së madhe negative që ministri ka krijuar me institucionet e pavarura, kryesisht me prokurorinë, vendosi pezullimin e akordimit të këtij fondi. Vetëm për paraburgimin e Gjirokastrës ishte parashikuar që nga 10 milionë eurot, të shpenzoheshin 6.5 milionë të tilla, ndërsa për EURALIUS III do të shpenzoheshin 3.5 milionë euro.
Misioni ka mbajtur shënim konfliktin e fundit të ministrit me prokurorinë edhe për mosdhënien e lejes – siç parashikohej – që Prokuroria e Shkallës së Parë dhe e Apelit të Krimeve të Rënda të vendosej në godinën e re të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Një konflikt që kushton 10 milionë euro të humbura nga fondi i premtuar