Fier, aksidentohet për vdekje një 78-vjçar
Brenda 24 orëve shënohet një tjetër viktimë e aksidenteve automobilistike në Qarkun e Fierit. Një 78-vjeçar ka humbur jetën kur motoçikleta me të cilën udhëtonte ka dalë nga rruga, ndërkohë që policia e qarkullimit rrugor në shkallë qarku ka shtuar numrin e kontrolleve në rrugë. Ka qenë ora 10.30 e së hënës, kur Ferit Ferko, 78 vjeç, ka qenë duke përshkuar rrugën Fier-Seman. Në afërsi të fshatit Topojë, në rrugë rurale Baltëz-Sektor Sema, motoçikleta që drejtonte i moshuari ka dalë nga rruga dhe për pasojë është përplasur me një pemë aty pranë dhe ka përfunduar në kanalin anësor. Përplasja ka qenë fatale për të moshuarin, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në trup. Banorë të zonës dhe kalimtarë të rastësishëm janë përpjekur për të dhënë ndihmën e parë, si dhe kanë njoftuar policinë. Viktima është transportuar drejt morgut të spitalit rajonal të Fierit, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe dy djemtë e tij. Paraprakisht policia ka thënë se motoçikleta që drejtohej nga 78-vjeçari është përplasur me parmakun e një ure. Po ashtu policia, e cila ka bërë hetimet përkatëse lidhur me shkaqet e këtij aksidenti, deklaron se dalja nga rruga e motoçikletës mund të jetë shkaktuar si pasojë e ndonjë traume që mund të ketë pësuar i moshuari, ndoshta nga ndonjë mjet që i vinte përballë. Megjithatë policia është ende duke e hetuar ngjarjen. Kujtojmë se ky është aksidenti i tretë brenda dy ditësh që shënon viktimë. Policia e qarkullimit, përballë bilanceve të rënda nga aksidentet, por edhe si shkak i shtimit të mjeteve në qarkullim, ka rritur kontrollet në rrugë. Janë shtuar postblloqet, ndërkohë që u nënshtrohen kontrolleve të gjitha mjetet që përshkojnë rrugët, kryesisht ato nacionale apo edhe drejt plazheve.
#