Shkojnë për skrap, 17-vjçari rrezikon verbimin
Varfëria ekstreme ka detyruar dy të rinj nga Maliqi të rrezikojnë jetën, duke hyrë për të vjedhur skrap në poligonin e asgjësimit të predhave në Voskopojë. Kushtet ekonomike i kanë bërë të rinjtë të shpërfillin rrezikun, duke hyrë deri në zona që paraqesin rrezikshmëri, të cilat duhet të ishin të padepërtueshme. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se të lënduarit janë: David Hoxha, 17 vjeç dhe Genci Upja, 34 vjeç. 17-vjeçari ka marrë plagë të rënda në fytyrë dhe rrezikon verbimin, ndërsa Genci Upja ka marrë disa plagë të lehta dhe gjendja e tij është më e stabilizuar. Ai ka mundur të rrëfejë për “Shqip” momentin e shpërthimit të granatës dhe arsyet që i çuan të vinin jetën në rrezik. “Në mesditë u nisëm për në poligon. Mblodhëm hekura për skrap dhe ishim duke i ngarkuar në motor. Ne kishin mbaruar dhe do ktheheshim për në shtëpi për t’i shitur. Unë kam dy fëmijë dhe jam i papunë. Nuk kam me çfarë ta mbaj familjen, kushtet më detyrojnë të mbledh skrap. Kur po i rregullonim në thes, njëra nga granatat shpërtheu. Davidi u plagos keq në fytyrë, ndërsa unë në dorë dhe në qafë. Ashtu siç ishim të gjakosur u nisëm me motor nga poligoni derisa dolëm në rrugë në Voskopojë dhe pastaj na ndihmuan për të na sjellë në spital”, rrëfen për “Shqip” 34-vjeçari Genci Upja. Ai ka dalë nga reanimacioni pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe është vendosur nën kujdesin e mjekëve në repartin e kirurgjisë. 34-vjeçari, baba i dy fëmijëve të vegjël, tregon se jeton vetëm me një asistencë. “Nuk më del për të mbajtur familjen. Skrapin do ta mblidhnim për ta shitur. Ishte hera e parë që shkonim aty në poligon”, deklaron ai.
PoliciaSipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur në vendin ku kryhet qitje nga forcat ushtarake. Pasi kanë mbushur një thes me mbeturina skrapi dy të dëmtuarit janë nisur për në shtëpi, por rrugës në vendin e quajtur “Kulet e Gjergjevicës”, 1 km larg poligonit, teksa sistemonin mbeturinat e skrapit ka plasur një nga mbeturinat e mbledhura. Për shkak të gjendjes së rëndë dhe plagëve në fytyrë që i rrezikojnë verbimin 17-vjeçarit David Hoxha, ai është dërguar drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar. Ndërkaq, mjekët e spitalit thanë se dy të plagosurit kanë mbërritur në gjendje të rëndë. “Në gjendje më të rëndë shëndetësore paraqitej 17-vjeçari David Hoxha, për shkak se lënda plasëse i kishte shpërthyer në pjesën e fytyrës. Ai kishte probleme serioze të humbjes së shikimit dhe për këtë pas ndihmës mjekësore u vendos nga stafi kirurgjikal që të kalojë për ndërhyrje më të specializuar në Tiranë. Fatmirësisht të dy pacientët nuk kanë pasur prekje të organeve jetësore, të trurit apo organeve të brendshme. Gjendja paraqitej më e mirë për 34-vjeçarin Genci Upja, i cili ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në dorë dhe në pjesën e qafës e po trajtohet nga mjekët e repartit kirurgjikal. Ai ka dalë nga gjendja e rëndë dhe shëndeti i tij është përmirësuar ndjeshëm, por do të mbahet nën vëzhgimin e mjekëve”, shprehet shefi i pavijonit të kirurgjisë, Bujar Isak.
#