Kapet me gjysmë kg drogë, pranga 24-vjçarit
Kapet me gjysmë kg drogë, pranga një 24-vjeçari nga Fieri. Burimet zyrtare nga policia lokale pohojnë për gazetën “Shqip” se në orën 13.30 minuta të së hënës, uniformat blu kanë arrestuar në kushtet e flagrancës 24-vjeçarin Mikel Malaj, lindur dhe banues në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit. Të njëjtat burime saktësojnë se Malaj është arrestuar në një lokal në lagjen “29 Nëntori”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet një çantë me rreth gjysmë kg bimë narkotike, e llojit kanabis sativa.
Për të arritur në prangosjen e Mikel Malajt, policisë i janë dashur plot 2 javë hetime. Në rrugë operative agjentët e antidrogës janë informuar për aktivitetin e paligjshëm që kryente 24-vjeçari. Pasi e kanë survejuar për shumë ditë me radhë kanë mundur ta arrestojnë në flagrancë, ndërsa kishte marrë drogë për ta shitur te të rinjtë e Fierit. Pritet që vijimi i hetimeve për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” të zbardhin të tjerë emra që mund të kenë bashkëpunuar me 24-vjeçarin.