Fier, arrestohen dy të dyshuar për vjedhje
Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Fierit për vjedhje. Jetnor Azizaj, 23 vjeç, nga fshati Verbas është vënë në pranga pasi paraditen e së premtes është kapur duke transportuar një sasi të konsiderueshme kablloje prej bakri, që dyshohet ta ketë vjedhur në kabinat e tensionit të lartë të transformatorëve dhe kabinat e puseve të naftës në zonën e Dukasit. Policia e Fierit ka arrestuar dje edhe një 41-vjeçar për veprën penale të vjedhjes. Mersin Myftaraj nga Patosit është kapur ndërsa lëvizte me automjetin e tij tip “Volkswagen” pa targa në drejtim të fshatit Zharrëz dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së patrullës së policisë për të ndaluar. Ai ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet, por është ndalur nga policia. Në automjetin e tij u gjetën 2 bidonë me naftë dhe 23 pjesë tubosh çeliku, që shërbejnë për hapjen e puseve të naftës.
#