Fier, bashkia pa buxhet
Edhe pse buxheti për Bashkinë e Fierit nuk është miratuar ende, investimet në këtë qytet nuk kanë munguar. Kjo vërehet sidomos në sektorin e shërbimeve, që vijon të investojë si në infrastrukturë, ashtu edhe në shërbime të tjera. Gjashtëmujori i parë i vitit 2010 është mbyllur me një bilanc tepër të kënaqshëm nga ana e bashkisë së qytetit. Sipas drejtoreshës së Shërbimeve Publike në Bashki, Elida Qyrana, planifikimet janë realizuar në nivele të kënaqshme për sa u përket investimeve. Problem i madh për disa nga projektet e këtij sektori ka qenë mungesa e fondeve të buxhetit të bashkisë. “Gjatë periudhës së parë të vitit 2010 është synuar realizimi i projekteve të parashikuara. Shërbimet e domosdoshme dhe ato të zakonshme të qytetit nuk kanë munguar, edhe pse buxheti për këtë vit nuk është lëvruar, madje nuk ka kaluar pragun e këshillit bashkiak. Ndërmarrja komunale, përveç shërbimeve që ofron, ka mundur që të rikonstruktojë disa rrugë dytësore të qytetit, që sot kanë një infrastrukturë të dëshiruar”, tha shefja e shërbimeve në bashki, Elida Qyrana. Numri i rrugëve që janë shtruar nga ndërmarrja komunale është i lartë, ndërkohë që në shumë blloqe pallatesh gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë shtuar edhe sipërfaqet e gjelbra. Paralelisht me asfaltin dhe gjelbërimin është punuar edhe në disa trotuare, ku evidentoheshin probleme. Ndërkohë, sipas drejtoreshës, në analizën e sektorit të shërbimeve në bashki investimet do të vazhdojnë. “Ato do të përqendrohen kryesisht në rrugë, trotuare, ndriçim dhe mjedise të gjelbra”, sqaroi Qyrana.
#