E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bashkia sekuestron qumështin e fshatarëve

 

Më shumë se 130 litra janë derdhur në lumë pasi nuk plotësonte as kushtet më minimale të higjienës

FIER- Bashkia e Fierit ka nisur dje një aksion ndaj fshatarëve që tregtojnë qumështin e tyre në rrugët e qytetit. Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka përfunduar me derdhjen në lumin e Gjanicës të më shumë se 130 litrave qumësht. Kjo pasi shitësit e tyre nuk posedonin asnjë dokument që vërtetonte prejardhjen e produktet dhe aq më tepër cilësinë e tij. Vetë tregtarët e qumështit shprehen se kjo gjë është e padrejtë, pasi me këtë tregti ata mbajnë familjet e tyre.

“Si mund ta marrin dhe ta derdhin qumështin, është padrejtësi. Nuk kemi asnjë të ardhur tjetër financiare për të mbajtur familjet tona. Vijmë që në mëngjes për të shitur dy apo tre bidonë qumësht se nuk kemi me se ta mbajmë familjen. Me çfarë mund të ushqehemi neve kur sytë i kemi tek blegtoria”,- thotë njëri prej shitësve të qumështit. Tepër të irrituar, më shumë se 30 tregtarë qumështi, kanë kundërshtuar veprimet e bashkiakëve, por nga ana e këtyre të fundit nuk ka pasur kthim pas. “Jemi të bindur të çojmë deri në fund një urdhër të marrë. Nuk mund të lejojmë shitjen e qumështit në kushte skandaloze, duke rrezikuar jetën e konsumatorit. Madje neve i kemi paralajmëruar disa herë për tregtimin e qumështit. Ata e lënë arkën me qumësht vend e pa vend dhe për më tepër nën rrezet e diellit, gjë që na rrezikon të gjithëve. Ne nuk mund t’i kërkojmë llogari atij që e blen sepse ai mund të ketë nevojë për produktin ose e blen për faktin se në rrugë tregtohet pak më lirë sesa në dyqan. Këto janë të tjera probleme por fakti që për ne janë lajmëruar disa herë do të thotë që ua kemi mbajtur shumë anën”,- thotë shefja e zyrës së e veterinarisë në bashki, Luiza Strati. E ndërsa punonjësit e policisë bashkiake kanë vijuar punën për sekuestrimin e gjithë sasisë së qumështit të gjetur në motorët dhe biçikletat e shitësve, ka qenë instituti i higjienës ai që ka vlerësuar një punë të tillë. Burime brenda këtij institucioni kanë bërë të ditur se gjithçka ka ardhur pas analizave të kryera në disa pika shitjeje të qumështit, ku ka rezultuar se produkti blegtoral, grumbullohet dhe shitet jashtë çdo norme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›