E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja në Elbasan, bashkia i kërkon ndihmë Rulit

 

Këshilltarët Bashkiakë i kanë nisur një letër ministrit duke i paraqitur problemin e djegies së plehrave dhe ndotjes

ELBASAN- Mbeturinat dhe djegia e tyre është kthyer në një shqetësim mbarëqytetar nisur nga situata e krijuar gjatë muajve të verës në qytetin e Elbasanit. Nisur nga ky shqetësim, Këshilli Bashkiak ka vendosur t’i drejtohet me një shkresë dhe po kështu me projektin e hartuar nga Bashkia për përdorimin e fushës së TEC-it në Metalurgji për depozitimin e mbeturinave të qytetit. Në mbledhjen e djeshme, letra dhe projekti janë miratuar me unanimitet nga këshilltarët duke u bashkuar përballë situatës së vështirë të krijuar nga djegia e vazhdueshme e plehrave në fushën aktuale të tejmbushur dhe mjaft afër shtëpive të banuara. Këshilli i Bashkisë së Elbasanit i është drejtuar me një projekt-kërkesë Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli për situatën emergjente të krijuar në vendgrumbullimin e plehrave në qytet. Gjatë mbledhjes së këtij fund muaji Këshilli Bashkiak i është drejtuar ministrit duke bërë një paraqitje të gjendjes së fushës së mbeturinave. “Zoti Ministër, qyteti i Elbasanit ndodhet në një gjendje emergjente për sa i përket mungesës së një vendi depozitimi të plehrave të qytetit. Gjendja aktuale është skandaloze, ku çdo ditë bëhet djegia në natyrë duke çliruar tym kancerogjen në të gjithë qytetin dhe nuk ka asnjë mundësi që me vazhdimin e hedhjes së mbeturinave aty gjendja të përmirësohet. E vetmja mundësi për të realizuar një vendgrumbullim dhe përpunimi të plehrave është, Dampa e TEC-it në jug të ish- Kombinatit Metalurgjik me një sipërfaqe rreth 300 mijë metra katrorë. Kërkojmë nga ana juaj të na jepet në pronësi ose qira ky vend për ta kthyer në një “landfill” për qytetin e Elbasanit, që zgjidh problemin e depozitimit të mbeturinave për 45 vitet e ardhshme”,- thuhet në letrën e këshilltarëve elbasanas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›