E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata nga burgu prangosi Ben Çamin

 

I kapuri me 15 kilogramë heroinë nuk mbahej nën vëzhgim. Si u improvizua postblloku rutinë për kapjen e Shabanit

Telefonata anonime në polici:Një sasi e madhe droge po kalon nga Qafë-Thanë në drejtim të Durrësit.

TIRANË- Një telefonatë nga burgu i ka prerë “hovin” e trafikimit të 15 kilogramëve heroinë Lutfi Shabanit.I sapoliruari nga burgu nuk ka qenë nën vëzhgimin e policisë, por koha e kaluar në qeli duket se i ka sjellë atij mjaft armiq, hakmarrja e të cilëve e çoi sërish në pranga. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, sekuestrimi i 15 kilogramëve heroinë, të kapur të enjten në autostradën Kavajë-Durrës është realizuar falë“spiunimit” në polici nga një i paraburgosur që ndodhet në qelinë “Jordan Misja” në kryeqytet. Telefonata anonime ka detyruar agjentët e antidrogës të ngrenë postbllokun në Golem, për të bllokuar jo pak, por 15 kilogramë heroinë të destinuar për tregun italian.

Burime të rezervuara pranë organit të akuzës pohuan se arrestimi i Ben Çamit ka ardhur falë telefonuesit anonim,që është lokalizuar në një perimetër të ngushtë rreth paraburgimit 313. Telefonuesi anonim ka treguar në nr. 129 itinerarin e drogës që hynte nga Maqedonia në Shqipëri. “Ka qenë ora 11:00 e pasdites së enjte, kur në sallën operative është lajmëruar një person që dëshiroi të mbetet anonim, duke denoncuar një transportues droge nga Qafë-Thana në drejtim të Durrësit. Me marrjen e këtij informacioni, efektivët e seksionit të luftës kundër trafiqeve të drogës kanë kërkuar verifikimin e personave që kanë kaluar deri në atë orë nga kjo pikë e kalimit kufitar. Gjatë verifikimit të emrave që kanë kaluar nga kjo pikë e kalimit kufitar është dyshuar në emrin e personit me precedent penale në fushën e drogës, shtetasin Lutfi Shabani i njohur ndryshe si “Ben Çami”. Menjëherë, është kërkuar verifikimi i makinës me të cilën ka kaluar personi me precedentë penalë dhe ka rezultuar se në ora 10:00 të paradites, makina e tipit “BMW” me targa DR 3445 E kishte kaluar kufirin e Qafë-Thanës për në drejtim të Durrësit”,-thuhet nga burimet e prokurorisë.

Mësohet gjithashtu se pas identifikimit të makinës, agjentët e policisë i janë vënë pas, dukevëzhguar dhe ndjekur lëvizjet e tij deri në hyrje të Kavajës, ku policia ka ngritur një postbllok, duke simuluar kontrolle rutinë. Kështu, efektivët e policisë që ndodheshin në pikën e kontrollit kishin mbajtur shënim targat e mjetit me të cilën po udhëtonte Shabani dhe aty rreth orës 13:45 minuta makina që drejtohej nga Ben Çami i është afruar postbllokut pa mundur të devijojë rrugën dhe është ndalur nga policia. Pas ndalimit të makinës, drejtuesit të mjetit Ben Çamit i është kërkuar kontrolli i hollësishëm i mjetit veçanërisht bagazhit, ku poshtë gomës rezervë policia gjeti të fshehura 30 pakot e mbështjella me natriban. Menjëherë policët që ndodheshin në këtë postbllok i vendosën prangat dhe sasia prej 15 kg heroinë u sekuestrua. Sipas këtyre burimeve, sekuestrimi i kësaj sasie droge erdhi pas telefonuesit që mendohet se është nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja”, pasi në arrestimin e dy viteve më parë, Ben Çami ka preferuar të bashkëpunojë me policinë, për të përfituar masën më të ulët të dënimin nga pjestarët e tjerë të grupit “Identikit”.

SHABANI

Arrestimi i parë dhe bashkëpunimi me akuzën

Arrestimi i parë i Ben Çamit, fillimisht është kryer në vitin 2006 në operacionin e policisë të koduar “Identikit” bashkë me gjashtë bashkëpunëtorët e tjerë, por falë bashkëpunimit që ai pati me organin e akuzës dhe ngritjen ndaj tij të veprës penale të trafikimit të 150 kg përzierësve nga Turqia në Shqipëri, i kushtoi atij dënimin vetëm me 2 vjet heqje lirie. Pas përllogaritjeve të ditëve të paraburgimit dhe ditëve të dënimit, Gjykata e Shkallës së Parë e liroi me kusht, edhe pse i kishin mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i dënimit. Por “zanati” i vjetër nuk është harruar prej tij, duke u aktivizuar sërish në trafikun e drogës e që dërgoi në arrestimin e tij vetëm pesë ditë më parëme 15 kg heroinë të sjellur nga rrugae vjetër e trafikut, Turqi-Bullgari-Maqedoni- Shqipëri, për t’u transportuar më pas drejt Italisë.

VENDIMI

Lutfi Shabani, në burg pa afat

TIRANË- Paraditen e djeshme, rreth orës 8:30 minuta, shtetasi Lutfi Shabani i njohur ndryshe si Ben Çami është sjellë nga patrulla e përgjithshme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet për vlerësimin e arrestit. Me kërkesë të prokurorit të çështjes, Anton Martini, gjyqtari i gatshëm i masave, Idriz Mulkurti vendosi të vlerësojë të ligjshëm arrestin e tij në flagrancë dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Mësohet se vetë Shabani nuk ka preferuar të flasë para gjykatës, duke i dhënë të drejtën avokatit të tij mbrojtës që të shprehet në lidhje me arrestimin dhe caktimin e masës së sigurisë. Sipas mbrojtësit, klienti i tij nuk ka të bëjë me trafikun e drogës, pasi sasia e sekuestruara nuk është lëndë narkotike dhe kërkoi nga gjykata të kryhej ekspertimi i lëndës së sekuestruar. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga prokurori, i cili u shpreh se në dosje ekziston akt-ekspertimi i lëndës së sekuestruar dhe ka rezultuar se është heroinë e përzier. Gjithashtu, prokurori i kujtoi mbrojtjes se shtetasi Lutfi Shabani ka pasur një precedent penal në lidhje me trafikun e drogës dhe duke parë rrezikshmërinë e lartë shoqërore kërkoi nga gjykata “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi që i dyshuari për trafik droge, Lutfi Shabani të mbetet në burg me masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›