Denoncimi: Kam 8 vjet që rrihem nga burri, më mbroni
Me sy të nxirë, hundën e fashuar e shenja në trup, 23-vjeçarja ka udhëtuar deri në Tiranë për të denoncuar ngjarjen
LIBRAZHD- Një grua nga Librazhdi ka jetuar tetë vjet nën dhunën dhe terrorin psikologjik të bashkëshortit dhe vetëm tani ka marrë guximin të denoncojë ngjarjen duke kërkuar edhe divorc. Ajo ka dalë publikisht dhe ka denoncuar të gjithë ngjarjen duke kërkuar ndihmë nga shteti pasi policia e Librazhdit nuk e ka ndihmuar asnjë herë. Gjithçka ka nisur kur vajza ishte 15- vjeç dhe sapo ishte martuar me Lavdërim Gjinin. Që nga ajo ditë vajza është njohur vetëm dhe rrahjet e tij, që në disa raste janë kryer edheme hekur të nxehtë.
Denoncimi
“Unë kam shkuar në policinë e Librazhdit dhe kam denoncuar rrahjet që më ka bërë burri por asgjë nuk ka ndodhur pasi ai ka shumë miq në polici. Tani unë kërkoj ndihmë nga shteti dhe për këtë arsye kam ardhur këtu në Tiranë për të bërë denoncim në polici. Dua që ai njeri të marrë atë që meriton”,- tha vajza 23-vjeçare duke treguar shenjat e shumta të dhunës. Fytyra e saj ishte e gjitha e fashuar ndërsa në krahë e trup dukeshin qartë shenjat e goditjeve të burrit. “Unë kërkoj të ndahem nga ai dhe të marr vajzën tonë. Kam tetë vite që rrihem sistematikisht prej tij. Në sy dhe hundë më ka qëlluar me mashën e sobës, atë që përzien prushin. Më ra të fikët dhe kur u zgjova e gjeta duke më rrahur sërish. Më ka goditur në të gjithë trupin dhe kam shenja të shumta”,- thotë ajo duke treguar mishin e nxirë.
Policia
Në lidhje me këtë ngjarje policia e Elbasanit ka pohuar se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Lavdrim Gjini, banues në fshatin Stërblevë të Librazhdit, pasi ai akuzohet se për motive xhelozie ka rrahur bashkëshorten e tij, e cila ka marrë mjekime në spitalin e Librazhdit. Ai akuzohet për veprën penale plagosje me dashje. Por të afërmit e vajzës kanë deklaruar se policia është treguar neglizhente ndaj këtij rasti duke mos marrë asnjë veprim konkret ndaj bashkëshortit dhunues. Burimet e policisë kanë shpjeguar se në rast se e dëmtuara rëndë nuk do të kishte qenë bashkëshortja e tij, atëherë 25-vjeçari do të ishte arrestuar në flagrancë. Ky është një nga rastet e shumta ku dhuna ndaj gruas, edhe pse është miratuar një ligj, vazhdon dhe në shumicën e rasteve është për xhelozi. Tashmë vajza ka varur të gjitha shpresat tek policia e Tiranës, e cila ka vendosur të marrë në mbrojtje 23- vjeçaren. Ndërkohë në gjykatë është vendosur që bashkëshorti të mos i afrohet më asaj deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.