E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bllokohen aplikimet për dokumentet "biometrike"

Radhë të gjata janë regjistruar gjatë kësaj jave në zyrat e operatorëve të aplikimit për kartat e identitetit dhe për pasaportat biometrike në Rrethin e Fierit. Ardhja e emigrantëve e ka rritur edhe më shumë fluksin e kërkesave për karta dhe pasaporta. Prej tri ditësh, në katër zyrat e Fierit, nuk është kryer asnjë aplikim. Kjo për shkak të mungesës së linjës së internetit të kompjuterëve që përdoren për hedhjen e të dhënave në sistem. Ndërsa aplikuesit ankohen për qëndrime të gjata në radhë, operatorët e largojnë përgjegjësinë nga vetja dhe fajësojnë linjën e internetit. "Kemi gjithë javën që mbetëm dyerve të gjendjes civile. Nuk po mundim të aplikojmë për karta dhe pasaporta", thotë Romira Ajazi, emigrante në Greqi. Një tjetër nga ata që janë në radhë thotë se ka dy ditë që pret për të aplikuar për dokumentet biometrike por më kot. Deri dje në mesditë numri i personave që prisnin për të aplikuar ka qenë më shumë se 70, ndërkohë që shumë të tjerë janë larguar sapo kanë parë dyndje në dyert e zyrave ku bëhen aplikimet. Nga ana tjetër, operatorët e zyrave të aplikimit në Fier shprehen se kanë mungesë të internetit. "Nuk kemi linjë interneti. Kemi njoftuar edhe zyrtarisht zyrën qendrore në Tiranë dhe presim që të vijnë ata për riparim. Nuk është faji ynë, pasi edhe ne si operatorë nuk duam që të kemi radhë", tha një nga punonjësit. Por, një problem më shumë për zyrat e aplikimit në Fier është edhe ndërprerja e energjisë elektrike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›