E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja për jonxhën, përgjimi i telefonit çon në pranga autorin

Policia e Lushnjës ka arritur të vërë në pranga autorin e vrasjes së dy ditëve më parë në fshatin Hysgjokaj të këtij rrethi. Përgjimi i telefonatave që Luftar Sharka ka bërë me të afërmit, ka çuar në pak orë në kapjen e tij dhe bashkë me këtë edhe sqarimin e rrethanave të krimit, që është shkaktuar përsëri nga konflikte për pronën. Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen dhe pas identifikimit të autorit, Policia e Lushnjës ka organizuar operacionin për kapjen e tij. Policia ka ushtruar kontroll në të gjithë fshatrat ku familja Sharka kishte të afërm dhe të njohur. Kontrolli ka arritur deri në fshatrat e Peqinit dhe të Elbasanit. Uniformat blu të Komisariatit të Lushnjës të ndihmuar edhe nga ata të Drejtorisë në Policinë e Qarkut të Fierit si dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle edhe në pyje, fusha e kodra pranë zonës ku ndodhi ngjarja dhe deri në mbrëmjen e së enjtes e kanë rritur rrezen e tyre të kontrollit. Pas disa orësh kërkime pa rezultat grupi i hetimit ka marrë vendimin e përgjimit të thirrjeve telefonike të autorit të krimit, 35-vjeçarit Luftar Sharka. Është dashur vetëm një orë përgjim që policia të identifikojë vendndodhjen e tij. Rreth orës 23:00 është mësuar se autori ka qenë i fshehur në një pyll në afërsi të fshatit Trashë të Komunës Pajovë në Rrethin e Elbasanit. Megjithëse ishte natë, policia ka ushtruar kontroll në pyll dhe duke ndjekur gjurmët e tij, si dhe duke vijuar përgjimin e telefonit personal, ka mundur që ta rrethojë ndërsa përpiqej të hynte në banesën e baxhanakut të vet, në fshatin Trashë. Uniformat blu kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë prangosjen e tij. Sipas burimeve zyrtare policore mësohet se Luftar Sharka ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit. Ai është përpjekur të largohet, por nuk ia ka dalë. Largësia nga fshati Hysgjokaj deri në vendin e arrestimit të autorit në fshatin Trashë është më shumë se 40 kilometra dhe këtë distancë vrasësi e ka përshkuar në këmbë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›