E Diel, 1 Nëntor 2026

Manovra, policët e çojnë në Spitalin e Burgut. Dajti i shante gjatë rrugës

Pas ngjarjes së rëndë, i kërkuari
Dritan Dajti, pavarësisht
se sapo kishte vrarë katër
efektivë specialë, është dërguar
në spital për ndihmën e parë. Fillimisht
ai është dërguar në spitalin e
Durrësit, ku i gjithë ambienti është
izoluar me forca të shumta policore,
ndërkohë që ai gjatë gjithë
kohës i shante dhe kërkonte nipin
e tij. Policët e kanë mbajtur atë me
pranga edhe teksa mjekohej nga
mjekët e spitalit, nga frika e ndonjë
arratisjeje të dytë, apo ndonjë
ngjarjeje tjetër, derisa në spital
kanë mbërritur forcat speciale të
RENEA-s. Me tre makina të blinduara,
ata kanë hyrë në ambientet
e spitalit, kanë marrë të kërkuarin
e plagosur dhe e kanë nisur drejt
Tiranës. Fillimisht është dhënë
informacioni se ai do të dërgohej
për në Spitalin Ushtarak, por kjo ka
qenë vetëm një manovër. Madje,
gjatë gjithë rrugës, Dritan Dajti
ka filluar të shante e të bërtiste
në makinën që shoqërohej nga
një autokolonë policie dhe mjete
të blinduara dhe ka kërkuar që ta
çonin në spital. Sipas të dhënave
policore, nga frika e ndonjë arratisjeje
të dytë dhe nga informacionet
operative të marra në rrugë të
ndryshme, është vendosur që ai
të çohet në spitalin e burgut. Sapo
e kanë dërguar aty, Dajti është
tërbuar edhe më shumë dhe nuk
ka dashur të pranojë mjekim, por
kërkonte që të dërgohej në Spitalin
Ushtarak. Kjo ka shtuar edhe më
shumë dyshimet e policisë se ai
po planifikonte ndonjë arratisje
të dytë. Nga ana tjetër, drejtuesit
e Policisë së Tiranës kanë vepruar
menjëherë në të gjitha spitalet,
duke ngritur vendqëndrime me
punonjës policie. Edhe në rrugë,
gjatë gjithë autostradës Tiranë-
Durrës, janë ngritur postblloqe
me efektivë të veshur me jelekë
antiplumb dhe të armatosur
deri në grykë. Sipas të dhënave,
disa komisariate në Tiranë kanë
kaluar në gjendje të përforcuar
për shkak të kësaj situate që ka
vijuar deri në mesnatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›