Fier, çmimi i bukës mbetet statik, 100 lekë prej 1 viti
FIER - Qytetarët e Fierit e blenë bukën me 100 lekë. Ndryshimi i çmimit të një buke normale në të gjitha qytetet nuk ka ndikuar aspak te furrtarët fierakë. Ndonëse në qytete të tjera të mëdha, mes tyre dhe Tirana, një bukë prej ditësh shitet me 60 lekë, e kundërta po ndodh në Fier. Banorët e qytetit kanë pritur që çmimi i bukës masive të bjerë dhe në furrat e dyqanet e lagjeve të tyre, por kjo nuk ka ndodhur. "Prodhuesit e bukës në Fier janë duke spekuluar me çmimin në një kohë që ende në shumë qytete të tjera një bukë kushton 50-60 lekë. Derisa është bërë e qartë se çmimi i drithërave në këtë periudhë është ulur, atëherë përse spekulohen në mënyrë të tillë me xhepat e qytetarëve. Edhe sot e kësaj dite e blejmë një bukë 100 lekë, kur nuk kemi të ardhura të mjaftueshme për ta përballuar këtë çmim", thotë Dervish Zalli, banor i lagjes "29 Nëntori". E njëjta situatë është në të gjitha lagjet e qytetit, dyqanet tregtuese të bukës të së cilave nuk e njohin uljen e çmimit. Nga ana e tij, kryetari i shoqatës së furrave të pjekjes në Fier, Kajo Allkaj e ka argumentuar këtë me faktin e kostos së lartë të prodhimit. Sipas tij furrat në qytetin e Fierit nuk e kanë ulur çmimin, pasi në punishtet e tyre vazhdojnë të jenë të depozituara sasi të konsiderueshme mielli e gruri, të blerë më parë, kur edhe çmimi i tyre ishte tepër i lartë. Për pasojë, derisa prodhuesit të konsumojnë sasinë e drithit të blerë më parë, çmimi i bukës do të mbetet i njëjtë. Ndërkohë burime brenda bashkisë fier dhe Tatim Taksave në qytetit tregojnë se shumë shpejt do të ndërmerret një iniciativë e cila do të disiplinojë tregun e shitjes së bukës. Ende nuk jepen detaje lidhur me këtë aksion, por mësohet se ai do të përfshijë shumë pika prodhimi e tregtimi të bukës duke u shoqëruar me gjoba drastike për të gjithë shkelësit. m.r