E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Mjekut:Pa licencë 1/3 e klinikave dentare

 

Një e treta e klinikave dentare në Tiranë janë të palicencuara Pos kësaj, në pjesën më të madhe të tyre pacientët rrezikojnë të marrin infeksione të rrezikshme. Urdhri i Mjekut ngre alarmin për marrjen e masave të menjëhershme për kontrollet e licencimin e këtyre subjekteve. “Ka probleme nëpër klinika, pasi pacientët rrezikojnë të marrin hepatitet dhe SIDA-n. Shume klinika nuk kanë pajisjet e nevojshme dhe higjienën e duhur”, u shpreh dje gjatë konferencës së mbajtur posaçërisht për këto probleme, kryetari i “Urdhrit të Mjekut”, Dine Abazi. Ai shtoi se në pjesën më të madhe të klinikave të licencuara, nuk hapen dosje për pacientët, çka e vështirëson diagnostikimin e tyre për një kohe të gjatë. Ndërkohë Rozarka Budina përfaqësuese e Shoqatës së Stomatologëve, pranon se një e treta e klinikave është e palicencuar. “Shifrat janë vërtetë të tilla. Këtë informacion kemi edhe ne si shoqatë, por nga kontakti me Ministrinë e Shëndetësisë, që kryen kontrollet na është pohuar se identifikimi i klinikave të palicencuara është i vështirë. Një pjesë e tyre punojnë nëpër bodrume e apartamente”, tha Budina. Ajo shtoi se akoma më problematike situata është në rrethe. Të njëjtën gjë pranojnë edhe specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë e Urdhri i Mjekut. Ditët e fundit Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka nisur një sërë inspektimesh në kabinetet dentare, kryesisht në sektorin publik. Sipas të dhënave të ASHR janë evidentuar një sërë mangësish dhe janë lënë detyra për t’u realizuar. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në klinikat e tjera. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në të gjithë vendin 20% e kabineteve, që ushtrojnë aktivitetin e tyre janë pa licencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›