Motori mbi shina, vdesin 2 të rinj
LIBRAZHD/ ALDI KOZARJA
Udhëtimi me motor në orët e natës u kushton jetën dy të rinjve. Ata janë rrëzuar rreth 15 metra nga superstrada mbi trasetë e linjës hekurudhore, në zonën e quajtur "Ara e Sollakut", në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas. Artan Hidri, 25 vjeç dhe Ermir Bregu, 20 vjeç, të dy nga qyteti i Përrenjasit u identifikuan disa orë pas aksidentit tragjik. Sipas burimeve të policisë, dy të rinjtë po udhëtonin me motorin që drejtohej nga Hidri, duke udhëtuar drejt shtëpive të tyre. Në kushtet e errësirës dhe lagështirës mendohet se motori ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra poshtë, mbi shinat e trenit. Trupat e dy të rinjve kanë qëndruar aty rreth 4 orë pasi në momentin që ka ndodhur aksidenti në rrugë nuk ka pasur asnjë kalimtar apo automjet që të ishte dëshmitar i skenës e t'u shkonte në ndihmë. Për shkak se trupat bashkë me mjetin ishin shumë poshtë rrugës nacionale ata nuk janë mundur të shihen as nga udhëtarët, që kanë kaluar pas aksidentit. Vetëm kur ka zbardhur dita, në orët e para të ditës së djeshme, kalimtarë të rastit kanë vënë re trupat e viktimave. Menjëherë është lajmëruar policia e Librazhdit, e cila ka bërë transportimin e tyre drejt morgut të qytetit. Me ndihmën e policisë së qytetit është bërë identifikimi i 20 dhe 25-vjeçarit. Një grup hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë. Sipas burimeve hetimore mësohet se tre janë pistat e ngritura mbi shkaqet e aksidentit: E para është ajo e daljes nga rruga si pasojë e shpejtësisë; lagështira në rrugë dhe dyshimi se mund të jenë përplasur nga një makinë nga pas dhe shoferi është arratisur nga vendngjarja pa u pikasur nga ndokush. Tragjedia do të ishte më e rëndë nëse trupat e dy të rinjve Hidri dhe Bregu nuk do të ishin hequr para se të kalonte treni i mëngjesit, i linjës Tiranë-Pogradec. Burime të policisë pohojnë se dy të rinjtë kanë qenë në Librazhd duke pirë kafe me disa shokë të tyre, për të marrë rrugën e kthimit pas mesnate. Dyshohet se aksidenti është shënuar rreth orës 02:30, llogaritur me kohën kur ishin ndarë me miqtë e tyre. Viktimat janë zbuluar pasi ora kishte kaluar 06:00 të mëngjesit, kur u përcoll edhe lajmi e keq te familjarët e tyre, që humbën papritur dy djemtë e rinj.