"Granit" heq nga puna 7 grevistët
KUKES - Firma maqedonase "Granit" lë pa punë 7 punëtorët grevistë, të cilët u ngujuan në një grevë urie pak ditë më parë në një kontejner në një nga frontet e punës në fshatin Gjegjan. Punëtorët, banorë të zonës dhe më së shumti punëtorë krahu dhe betoni, u hodhën në grevë sepse akuzuan drejtuesit e firmës për diskriminim në trajtim në pagë, ushqime dhe veshje si punëtorët maqedonas. Greva e tyre u shua shumë shpejt dhe me ndërhyrjen e Inspektoratit të Punës, i cili mori përsipër zgjedhjen e mosmarrëveshjeve mes firmës dhe punëtorëve, pasi u dhanë shenja se do të merreshin në konsideratë kërkesat e grevistëve. Pa zgjatur 1 javë, jo vetëm kërkesat nuk u morën parasysh, por punëtorët janë hequr me pretekstin se nuk ka më punë dhe se kontrata e tyre me firmën ka qenë e hapur dhe pa afat. Që në ditët e grevës firma në fjalë deklaroi se më shumë i kishte marrë për bamirësi këta punëtorë sesa për punë. Firma "Granit" aktualisht është në procesin e ndërtimit të 7 urave nga Kukësi në Morin, pjesë e korridorit Durrës-Kukës, mirëpo ka shkelur dy herë afatet e dorëzimit të tyre. Afati i parë ka qenë në mars të vitit 2008, por Ministria e Transporteve ia shtyu afatin për në mars të vitit 2009 dhe akoma nuk janë përfunduar. Burime të supervizorëve thonë se sipas rregullave firma duhet penalizuar dhe gjobitur për çdo ditë të shtyrjes së afatit të dorëzimit të projektit. Por ministri i Transporteve Sokol Olldashi pak ditë më parë në Kukës la të kuptohej qartë se ka një shtyrje të tretë dhe nuk do të këtë penalizime, duke i argumentuar vonesat me kohen dhe motin e keq. Projekti është për ura me dy kalime, ndërkohë që këto ditë pritet të bëhet tenderi për projektin tjetër që i bën ato me katër kalime. j.h