Vlorë, më 15 maj tenderi për portin e kontejnerëve
Më 15 maj është planifikuar që të zhvillohet tenderi për portin e kontejnerëve në Pyllin e Sodës në Vlorë. Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në 15 maj do të zhvillohet tenderi i hapur për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e Portit të Kontejnerëve në Pyllin e Sodës, Vlorë. Ministria ka shpallur ndërkohë ftesën për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për këtë proces. Ofertuesit e interesuar duhet të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese dhe detyrimet, që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 15 maj 2009, ditë ku do të bëhet edhe hapja e ofertave në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Porti do të jetë në zonën tek “Pylli i Sodës”. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit infrastruktura do të ngrihet edhe për zonën industriale të këtij qyteti, për të bërë të mundur plotësimin e kushteve të nevojshme për investime në këtë zonë. Krahas portit, në këtë mjedis, do të vendoset edhe zona e lirë, përveç asaj industriale.