E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvajtianët japin paratë, gati puna në sheshin “Skendërbej”

 

ZIRINA LLAMBRO

Projekti që do të transformojë sheshin “Skënderbej” në Tiranë shumë shpejt do të nisë nga zbatimi. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama firmosi dje kontratën me përfaqësuesit e qeverisë kuvajtiane dhe të kompanisë MAK ALBANIA. Plot 5 milionë euro të akorduara nga Kuvajti do të shkojnë për rikonstruksionin e këtij sheshi. Edi Rama gjatë firmosjes së marrëveshjes tha se gjithçka është gati për të filluar punimet. Nga ana tjetër ai i kërkoi qeverisë mos të bëhet pengesë për alokimin e fondeve, për projektin e unazës së vogël. Në këtë segment vetëm godina e INSIG-ut, e cila do të prishet pasi aty kalon gjurma e unazës kap një vlerë kolosale në shpronësime. “Sot ne themi me plot gojën se puna është gati për të filluar dhe nga ana tjetër shpresojmë që qeveria nuk do të behet pengesë për çeljen e fondeve që do të mundesojnë hapjen e unazës së vogël, për të mos e kthyer këtë kantier të madh në zemër të Tiranës, në një problem për qytetarët dhe për qarkullimin e tyre në kryeqytet”, tha Rama. Ndërkohë, nga ana e tij përfaqësuesi i qeverisë së Kuvajtit Ismail Alshati theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet më tej.  “Është një kënaqësi të firmosim kontratën me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e sheshit ‘Skënderbej’”, tha Alshati. Marrëveshja e firmosur dje do t’i japë një fytyrë të re qendrës së Tiranës  duke i dhënë fund pamjes mjerane që ajo ka sot. Me gjithë arnimin që i është bërë vit pas viti gjendja e sheshit ka prekur vërtet fundin. Duhet një rikonstruksion  i plotë sidomos sa i përket infrastrukturës rrugore. Por Punimet në sheshin “Skënderbej” nuk kanë për qëllim vetëm rindërtimin e rrugëve me projektin e ri ai do të transformohet tërësisht. Pas konkursit të një viti më parë studioja belge “51 N4E” u shpall fituese duke sjellë alternativën më të mirë për zemrën e kryeqytetit. Masterplani i saj propozon ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijojë një shesh këmbësorësh me konstruksione të reja. Veç të tjerash, pritet të ngrihet edhe një Kulla Qytetare (the Civic Toëer) ku do të rivendosen shërbimet publike të qytetit. Në të ardhmen qytetarët e Tiranës do ta mbajnë mend këtë ndërtesë si vendin me të cilin lidhen ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre, regjistrimi i lindjes ose i martesës.

Prefekti:Buxheti i Tiranës tashmë është i hapur
Pas rikonfirmimit nga Këshilli Bashkiak për miratimin e buxhetit të Tiranës më datë 3 shkurt, reagon prefekti. Sipas Ruzhdi Keçit  tashme buxheti i bashkisë quhet i hapur dhe e vetmja e drejtë e prefektit për të kontestuar vendimin e këshillit, do të jetë rruga gjyqësore. “Tashmë pavarësisht dhe nëse vërejtjet e prefektit nuk janë marrë parasysh, është e drejtë e këshillit, sipas ligjit që vullneti i këshillit të dominojë. Buxheti konsiderohet i hapur dhe mbetet për ta vlerësuar situatën”, tha  prefekti i Tiranës. Ai theksoi se do të gjykojë me qetësi nëse do ta ndjekë apo jo me rrugë gjyqësore këtë çështje. “Unë akoma nuk e kam marrë zyrtarisht vendimin, kjo mbetet për ta vlerësuar  situatën”, tha Rruzhdi Keci. Katër ditë më parë Këshilli Bashkiak rikonfirmoi si të vlefshëm votimin e muajit shkurt për buxhetin e bashkisë të vitit 2009. Pas më shumë se dy muajsh debatesh për shkak se mbledhje e atëhershme degjeneroi në braktisje dhe shpallje të pavlefshme të votimit, tanimë Bashkia mund të nisë ligjërisht projektet që ka planifikuar. Në mbledhjen e fundit të këshillit anëtarët e LSI dhe PS ishin në një mendje, duke e konsideruar buxhetin e 2009 të pranueshëm pas disa ndryshimeve që ju bënë. Por anëtarët e PD-së braktisën sallën me argumentin se buxheti duhej të diskutohej e nuk ishte çështje e mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›