Kondi: Topi të mos vonojë për gjyqtarët
Ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, flet në lidhje me debatet e fundit juridike për sa i përket procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në një intervistë për “Shqip”, Kondi vë theksin te raportet mes Presidencës dhe Parlamentit në lidhje me detyrimin kushtetues për të bashkëpunuar në këtë përzgjedhje. Ai flet për mangësitë e vërejtura në procesin përzgjedhës gjatë Presidencës së Bamir Topit dhe nevojën për një ligj që rregullon organikën e institucionit të Presidencës.
Si i shikoni debatet e fundit në vend për sa i përket emërimit në detyrë të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e Presidentit në këtë proces?
Në pranverë të këtij viti mbaroi mandati i gjashtë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Emërimi i gjashtë anëtarëve të rinj të kësaj gjykate konsiderohet një vendimmarrje që kërkon përgjegjësi të lartë, sepse prej saj përcaktohet e ardhmja e këtij institucioni me rol vendimtar e të pazëvendësueshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Kjo gjykatë ka funksion kryesor interpretimin përfundimtar e të detyrueshëm të Kushtetutës, nëpërmjet kontrollit të pajtueshmërisë së ligjeve e të akteve të tjera normative me Kushtetutën, si dhe garantimin e mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore të njeriut nëpërmjet procesit të rregullt ligjor. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një status të veçantë, të përcaktuar në Kushtetutë. Ky kuadër kushtetues krijon garancitë e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj t’i ushtrojnë kompetencat e tyre me pavarësi të plotë dhe të jenë të sigurt e të mbrojtur nga çdo ndërhyrje nga jashtë, politike apo e çdo lloji tjetër, si dhe nga çdo influencë e papërshtatshme. Kuadri kushtetues, ligjor e institucional përbën premisën bazë për një institucion kushtetues me integritet të lartë moral e profesional, me autoritet e besim publik të palëkundur. Që premisa pozitive të shndërrohet në realitet kërkohet që vendimmarrja për përzgjedhjen e kandidaturave dhe emërimin e tyre të ushtrohet me përgjegjësi dhe seriozitet, me objektivitet e transparencë dhe në respektim të kritereve e procedurave të drejta e të ndershme. Emërimi në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është nder dhe përgjegjësi e madhe. Ushtrimi i kësaj detyre kërkon integritet, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Nga përmbajtja e dispozitës kushtetuese rezulton se Presidenti i Republikës ka një rol të veçantë, të rëndësishëm e vendimtar për emërimin e gjyqtarëve dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, por kompetenca e tij nuk është ekskluzive, sepse, sipas dispozitës kushtetuese, kjo vendimmarrje ndërthuret me kompetencën e Kuvendit për dhënien e pëlqimit.
Por, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pasur gjatë mandatit të tij probleme në lidhje me raportet që duhet të mbajë me Parlamentin për sa u përket këtyre kandidaturave? Cila është rruga më e mirë sipas mendimit tuaj, krahasuar edhe me praktikat që kanë ndjekur paraardhësit e Presidentit aktual?
Në procesin e zbatimit të procedurave për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të atyre të Gjykatës së Lartë kohë më parë ka lindur diskutimi nëse Presidenti duhet të kërkojë paraprakisht pëlqimin e Kuvendit dhe pasi ta marrë atë të nxjerrë dekretin për emërimin e gjyqtarit, apo të nxjerrë dekretin e emërimit dhe pastaj këtë dekret ta çojë në Kuvend për miratim.
Gjatë mandatit të Presidentit Meidani u zbatua procedura e dhënies së pëlqimit paraprakisht nga Kuvendi, gjë që nuk më duket e justifikuar, duke pasur parasysh praktikën kushtetuese të vendeve nga është marrë modeli i këtij mekanizmi emërimi. Sidoqoftë edhe teorikisht, edhe praktikisht, është pranuar se dispozita kushtetuese është e hapur për pranimin e secilit nga dy opsionet dhe, si në njërin opsion, ashtu edhe në tjetrin, nuk shtrohet problemi i shkeljes së Kushtetutës. Në mungesë të një rregullimi të hollësishëm të këtij mekanizmi procedural, ai u përcaktua nëpërmjet precedentit të zbatuar nga Presidenti. Në qoftë se do të zbatohet rregulli i marrjes paraprakisht të pëlqimit, kjo e pakëson mundësinë e konflikteve institucionale President–Kuvend, por për mendimin tim, i jep një rol më të madh Kuvendit në emërimin e gjyqtarëve kushtetues dhe lejon hapësirë për shtimin e ndikimit politik në vendimmarrje.
Presidenti Moisiu, gjatë mandatit të tij krijoi precedentin e emërimit të gjyqtarëve të lartë nëpërmjet interpretimit dhe zbatimit të dispozitës kushtetuese sipas modelit perëndimor të huazuar, duke i qëndruar besnik atij modeli. Ky precedent nuk u kontestua asnjëherë dhe nuk krijoi ndonjë konflikt institucional.
Presidenti Topi iu përmbajt precedentit të Presidentit Moisiu, por jo praktikës së konsultimeve paraprake me faktorët politikë. Me aq pak informacion që kemi marrë, kemi përshtypjen se për dekretimet e para ai ka zhvilluar paraprakisht konsultime jo formale e jo me shumë transparencë vetëm me ndonjë përfaqësues të shoqërisë civile, të ndonjë institucioni të drejtësisë e, ndoshta, me ndonjë personalitet të mendimit juridik. Për mosbashkëpunimin paraprak me faktorët politikë ai u kritikua nga disa përfaqësues të shumicës parlamentare. Sipas tyre, kjo përbënte shkelje të Kushtetutës dhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta mungesa e konsultimit paraprak me Kuvendin apo me faktorë të tjerë politikë e jo politikë, si dhe moskryerja e një procesi serioz, objektiv, të paanshëm e transparent nga ana e Presidentit për seleksionimin e kandidaturave, përbën zanafillën e ngërçit të krijuar në raportet e sotme Kuvend–President, situatë që nuk ndikon për mirë në procesin e konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe në procesin e integrimit euroatlantik të vendit tonë.
Si i vlerësoni konkretisht praktikat e ndjekura nga Presidenti Topi për sa i përket dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese?
Presidenti ka rolin parësor dhe vendimtar për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të atyre të Gjykatës së Lartë dhe këtë funksion kushtetues nuk duhet ta ndajë me askënd dhe as ta kalojë përgjegjësinë tek institucione të tjera. Në një prononcim në media më 22 shtator 2009, Presidenti i Republikës, duke “larë duart” si Pons Pilati, është shprehur: “Vërtet hallka e parë e verifikimit të figurave që pritet të shkojnë në Gjykatën e Lartë bëhet nga Presidenti, por certifikimet bëhen në Parlament”. Nuk mund të pajtohemi me këtë pohim. Presidenti nuk është thjesht hallka e parë e verifikimit të figurave. Për të bërë verifikimet e nevojshme në funksion të seleksionimit të kandidaturave të përshtatshme, Presidenti ngarkon struktura të tjera shtetërore, por pas kësaj i takon atij përgjegjësia kushtetuese për të vendosur. Në përfundim të këtij procesi Presidenti duhet të ketë krijuar bindje të plotë se ka bërë përzgjedhjet më të përshtatshme dhe ka marrë vendimet më të mira të mundshme. Po kështu nuk është e justifikueshme që në periudha të caktuara Presidenti i Republikës ka lënë pa plotësuar për një kohë relativisht të gjatë disa vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, e sidomos në Gjykatën e Lartë. Qëndrimet e vërejtura sidomos kohët e fundit për mosplotësimin në kohë të vendeve vakante krijojnë vështirësi serioze për funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Momenti i mbarimit të mandatit për secilin gjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese dihet. Për të mos krijuar vakum dhe vështirësi e, aq më keq, paralizë në funksionimin e këtyre organeve shumë të rëndësishme kushtetuese, Presidenti duhet ta fillojë me kohë procesin e seleksionimit dhe të dekretimit të kandidaturave. Kandidaturat duhet të përzgjidhen jo vetëm në kohë, por edhe pa ngutje, duke siguruar transparencën e nevojshme, si dhe duke bërë verifikime të plota e të sakta për cilësitë e tyre.
Një debat i ditëve të fundit është edhe ai mes PD-së dhe Presidentit për dekretimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi atij aktual i ka përfunduar mandati. A e shikoni si normale zëvendësimin në muajin shtator të kreut të Kushtetueses?
Për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, neni 125 (5) i Kushtetutës parashikon mundësinë e vazhdimit të qëndrimit në detyrë të tij deri në emërimin e pasardhësit. Vërejmë se norma kushtetuese shprehet në njëjës dhe jo në shumës, duke përforcuar kuptimin që ndonjë rast i vazhdimit të qëndrimit në detyrë edhe pas mbarimit të mandatit është përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Vazhdimi i qëndrimit në detyrë për një kohë relativisht të gjatë dhe të papërcaktuar i një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh që u ka mbaruar mandati e kthen përjashtimin në rregull dhe, për rrjedhojë, deformon kuptimin dhe qëllimin e dispozitës kushtetuese. Si konkluzion, për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese qëndrimi në detyrë pas mbarimit të mandatit nuk mund t’i kalojë caqet e arsyeshme. Për sa i përket postit të kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ata nuk mund të qëndrojnë në këtë post apo të vazhdojnë të kryejnë detyrën as edhe një ditë më tepër. Kushtetuta për këto raste është e qartë dhe e prerë e nuk lë shkas për interpretime të kundërta. është krejtësisht e papranueshme dhe e pajustifikuar që Presidenti i Republikës të lërë për muaj të tërë pa dekretuar emërimin e kryetarit, siç ndodhi me kryetarin e Gjykatës së Lartë dy vjet më parë, ashtu siç po ndodh aktualisht me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese që i ka mbaruar mandati dy muaj më parë.
Por është vënë re një mungesë ligjore për sa i përket detajimit të procedurave për sa i përket emërimit të kandidaturave për gjykatat kryesore në vend. çfarë mund të bëjë në këto kushte një President?
As në Kushtetutë e as me ligj nuk janë vendosur procedura për përzgjedhjen e kandidaturave, megjithatë institucioni i Presidencës, në mungesë të ligjit, duhet të kishte vendosur praktika pune më të konsoliduara e të qëndrueshme, kritere e procedura rigoroze në këtë drejtim, me qëllim që t’u ngushtoheshin hapësirat e qëndrimeve subjektiviste. Kushtetuta gjithashtu nuk ka vendosur kritere të detajuara për t’u emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, as ligji organik nuk ka bërë një rregullim të saktë e të plotë në këtë drejtim. Praktikat e deritanishme shtrojnë nevojën e vendosjes së kritereve dhe të procedurave të specifikuara për përzgjedhjen e kandidaturave, gjë që është e domosdoshme veçanërisht për kushtet e vendit tonë me një demokraci të brishtë dhe shtet të së drejtës ende të pakonsoliduar. Në këndvështrimin e gjithsecilit duhet të jetë e qartë se jo çdo jurist me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, mund të përzgjidhet si kandidaturë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatët duhet të jenë gjyqtarë të karrierës të provuar ndër vite për profesionalizëm të lartë dhe integritetin e tyre, si dhe juristë të sprovuar nga rrethet shkencore-juridike e pedagogjike. Kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë njohuri të thella për doktrinat kushtetuese bashkëkohore dhe për jurisprudencën kushtetuese të gjykatave ndërkombëtare e të shteteve të zhvilluara demokratike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenti shpall vendet vakante dhe bën lajmërimin për të aplikuar. Shpesh aplikojnë edhe persona pa kualitetet e domosdoshme, por që janë të aftë të “shiten shtrenjtë” e të bëjnë lobingje të suksesshme, duke përdorur ndoshta edhe forma korruptimi. Depërtimi i këtyre personave në institucione të rëndësishme përbën një rrezik iminent. Nga ana tjetër, ka edhe njerëz të ditur, me dinjitet e me integritet, që janë modestë dhe nuk marrin iniciativën të vlerësojnë veten e të aplikojnë për funksione kaq të rëndësishme e me përgjegjësi. Këta njerëz duhen identifikuar e duhen nxitur të aplikojnë. Bashkohem me mendimin që kandidaturat duhet të gjenerohen me transparencë të plotë nga institucione të drejtësisë, nga organizata e institucione prestigjioze të shoqërisë civile që lidhen me drejtësinë. Përzgjedhja e tyre duhet të bëhet nga një komision ekspertësh, të caktuar nga Presidenti, të përbërë nga njerëz të sprovuar e me integritet, si dhe pa konflikt interesi, të cilët duhet të punojnë me seriozitet, përgjegjësi të lartë dhe përkushtim.
Nga ana tjetër, brenda mazhorancës ka zëra për nevojën e një ligji organik për institucionin e Presidencës. Cili është mendimi juaj për këtë nismë?
Kushtetuta dhe ligji nuk kanë përcaktuar procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë dhe për kryetarët e tyre. Në këto kushte, Presidenti duhet të kishte krijuar precedentin e interpretimit të Kushtetutës në lidhje me këtë problematikë. është normale të miratohet një ligj, që të përcaktojë se nga duhet t’i gjenerojë kandidaturat Presidenti, mendimin e kujt duhet të marrë lidhur me kandidaturat, cilat do të jenë kufijtë e verifikimit të kandidaturave, në mënyrë që kreu i shtetit të garantohet se kandidaturat plotësojnë kriteret kushtetuese, ligjore dhe morale për ushtrimin e tyre. Këto detyra kërkojnë njerëz me integritet dhe profesionistë të kualifikuar.
#