Fier e Gjirokastër nderohen mësuesit në ditën e tyre
FIER Një ditë para festës tradicionale të 7 Marsit, bashkia Fier ka shpërndarë certifikata mirënjohje për mësues dhe nxënës që kanë dhënë kontributin e tyre në qytetin e Fierit. Nga plejada e shumtë e mësuesve janë përzgjedhur tre emra që kanë marrë në duart e tyre këtë certifikatë bashkiake. Ata janë mësuesit Dionis Nito, Pëllumbesha Cakrani dhe Anastas Pogace. Këta të fundit janë mbushur më tufa me lule, ndërsa tepër të emocionuar kanë falënderuar bashkinë e qytetit për vlerësimin që i bën punës së tyre, ndërsa kanë treguar para të pranishmëve copëza nga jeta e gjatë si mësues. Nxënësit e vlerësuar si krenari e qytetit janë Endri Duraj, Ada Shehu, Rovena Dimo. Këta ish-maturantë kanë marrë vlerësimet më të larta në shkallë vendi. Aktiviteti i veçantë është zhvilluar në sallën e teatrit “Bylis”, ku kanë marrë pjesë dhjetëra mësues të brezave të ndryshëm, nxënës të talentuar dhe të nderuar me medalje ari në përfundimet e tyre shkollore, kryesisht të ciklit të mesëm, fitues olimpiadash të ndryshme kombëtare e deri dhe ndërkombëtare, përfaqësues të Institucionit të Bashkisë Fier etj. Në kuadër të festës së 7 Marsit, Këshilli i Qarkut Gjirokastër ka shpërndarë tituj nderi për figurat e shquara të arsimit në vite në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut, Arben Çulli, në mbledhjen e zhvilluar përpara disa ditësh këshilltarët e Qarkut miratuan dhënien e titujve “Mësues i shquar”, “Mirënjohje” dhe “Nderi i Qarkut” për rreth 20 mësues dhe disa shkolla të Qarkut, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arsimimin e brezave të rinj. Gjithashtu në kuadër të Javës së Arsimit, gjatë ditëve të fundit në institucionet arsimore të Qarkut janë zhvilluar një sërë aktivitetesh letrare, artistike etj., që kanë patur në qendër historikun dhe zhvillimin e arsimit në Jug të vendit.