Ish-zv.ministri Beqiraj, i thirrur në Prokurori
Protagonisti i videos që implikon Dritan Priftin pritet të flasë për herë të parë para prokurorëve të çështjes mbi burimin e 70 mijë eurove dhe aferat që fshihen pas tyre
Tiranë Bashkë me ish-ministrin Dritan Prifti, organi i akuzës ka thirrur për të dëshmuar edhe protagonistin tjetër të videos, ish-zv.ministrin Leonard Beqiraj. Fletëthirrja ndaj tij është dërguar tri ditë më parë, ndërsa, sipas procedurës, ai do të paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme ditën e sotme. Beqiri, që ndryshe nga Prifti i ka kursyer komentet publike për videon e papritur, pritet të japë për herë të parë shpjegime në Prokurori për këtë çështje. Sipas Prokurorisë, pozita e Beqirit në këtë çështje dyshohet se është më e rënduar, pasi ai është personi që shkon në banesën e ish-shefit të tij dhe i dorëzon një shumë prej 70 mijë eurosh. Ish-zv.ministri i Ekonomisë pritet të sqarojë para prokurorëve se cili ka qenë burimi i parave dhe nëse kanë ose jo lidhje me detyrën që Leonard Beqiri mbante gjatë kohës kur është filmuar në banesën e Dritan Priftit. Madje, sipas përmbajtjes së videos, Prifti ka refuzuar fillimisht marrjen e parave, duke adresuar ish-vartësin e tij që paratë t’ia dorëzonte dikujt tjetër, por Beqiri ka insistuar që paratë të ndaheshin mes tyre. Pas deklarimeve që dy ish-zyrtarët e lartë do të japin, pritet edhe vendimi i Prokurorisë për këtë çështje, që konsiderohet si “korrupsion i provuar”, pasi video, sipas ekspertizës, është autentike dhe pa ndërhyrje. Hetimet ndaj ish-ministrit dhe ish-vartësit të tij nisën pas riprodhimit që eksperti amerikan i bëri videos së fshirë në kompjuterin Lap Top të Dritan Priftit. Pasi u njoh me përmbajtjen e videos, Prokuroria e Përgjithshme që po hetonte mbi video-përgjimin Meta-Prifti, vendosi të kërkojë heqjen e imunitetit edhe për ish-ministrin e Ekonomisë, i cili nga denoncues u shndërrua automatikisht në të dyshuar për korrupsion pasiv. Ish- ministri Prifti ka deklaruar publikisht se akuza për korrupsion pasiv ndaj tij do të ishte shmangur, nëse prokurorët do ta thërrisnin më parë në një seancë pyetjesh. Madje, Prifti është treguar i gatshëm të sqarojë videon me ish-zëvendësin e tij, në një seancë pyetjesh që, sipas tij, nuk ka nevojë të zgjasë më shumë se 30 minuta. Ai ka pranuar autorësinë e videos, e cila, sipas tij, mbështet video-përgjimin mes tij dhe ish-zv.kryeministri Ilir Meta, si një dëshmi e qartë e korrupsionit në nivele të lara. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjithçka pritet të sqarohet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila po heton për çështjen që prej rreth dy muajsh.