E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga pa lejen e KRRT-së, kreu i qarkut kërkon bllokimin e punimeve

Kryetari i këshillit të qarkut ka pohuar se tabela që është vendosur në fillim të kësaj rruge nuk fillim dhe mbarim të punimeve

DURRËS Nisja e punimeve në rrugën paralel me murin rrethues të portit të Durrësit ka ngjallur reagimin e drejtuesve lokalë dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike në këtë qytet. Rruga e cila u pagëzua me emrin “Mars ‘91”, nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, nuk ka marrë miratimin e lejes së ndërtimit nga KRRT e bashkisë dhe për këtë arsye ka qenë shpeshherë debat i ashpër në mbledhjet kur në KRRT është futur për diskutim projekti i saj. Duke qenë se KRRT me shumicë votash nuk e miratoi asnjëherë lejen e ndërtimit, bashkia nisi punimet në pjesën fundore të rrugës me gjatësi totale 3.4 km, pas ndërtesës së drejtorisë së përgjithshme të hekurudhës. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se “rruga është pjesë e studimit të qendrës historike të qytetit, e miratuar me vendim të KRRTRSH-së në vitin 2007”. Në një kohë që përfaqësues të KRRT-së, që kanë votuar kundër këtij projekti, për shkak të vërejtjeve që ata kanë pasur për ndryshimet që pëson rruga nga katër në dy korsi, kryetari i këshillit të qarkut, Seid Kërtusha, është shprehur se kjo rrugë bëhet për efekte elektorale. Seid Kërtusha, i cili është edhe kryetar i këshilltarëve të Partisë Demokratike në këshillin bashkiak, është shprehur dje se “rruga hyrëse e portit inaugurohet për herë të dytë dhe nuk është çudi që pas ca kohësh të inaugurohet për herë të tretë. Ne si këshill bashkiak dhe si shumicë e djathtë në këtë këshill i kemi dhënë bashkisë një shumë prej 10-12 milion euro për investime në infrastrukturën rrugore me dy vite financim, 2010 dhe 2011, pavarësisht se këtë vit mund të mos jetë Dako kryetar bashkie dhe këto lekë që janë dhënë nuk janë shprehur të shërbime dhe investime për qytetarët. Në lidhje me miratimin ose jo të lejes së ndërtimit nga KRRT për rrugën hyrëse të portit, sigurisht që janë organet që e kanë përgjegjësi të veprojnë në këtë rast, por për mendimin tim fillimi i punimeve pa leje ndërtimi është i paligjshëm”. Kërtusha ka shtuar se bashkia nuk duhet ta fuste projektin e kësaj rruge në këshillin bashkiak për të marrë fondet që kërkonte ndërtimi i saj, në rast se nuk kishte marrë konsensusin e KRRT-së për projektin, kjo gjë është e pafalshme. Kryetari i këshilltarëve të djathtë është shprehur se për këtë rrugë dhe për fazën e parë të rivitalizimit të sheshit “Liria” në qendër të qytetit, këshilli bashkiak ka miratuar një fond prej 2 milionë euro dhe tani shohim se tabela që është vendosur në fillim të kësaj rruge, nuk fillim dhe mbarim të punimeve, nuk ka numrin e lejes së ndërtimit që duhen vendosur detyrimisht, pra me një fjalë është e kundërligjshme. Sipas tij, është e kotë që bëhet projekti teknik, preventivi dhe tenderi, në një kohë që nuk është marrë leja e ndërtimit.

Në inaugurimin e fillimit të punimeve kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, është shprehur se fondi për ndërtimin e lotit të parë është 56.7 milionë lekë dhe punimet do të mbyllen brenda 90 ditësh. Dako ka akuzuar pushtetin qendror se ka mbajtur të bllokuar për katër vjet me radhë ndërtimin e kësaj rruge, ndonëse që në fillim të hedhjes së idesë për ndërtimin e saj ka pasur debate të shumta në lidhje me pronësinë e tokës, përgjatë gjurmës ku kalon rruga. Pas një marrëveshjeje midis Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës dhe Autoritetit Portual, është përcaktuar rruga e re që është brenda territorit të portit, por nga ana tjetër bashkia kërkoi që porti të lëshonte një pjesë të territorit të vet pranë terminalit të kontenjerëve, në mënyrë që projekti për rrugën paralel me murin rrethues, nga Ura e Dajlanit deri te hyrja nr 2 e portit, të mos kishte ndryshim, duke qenë nga fillimi deri në fund me katër korsi.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›