Arrestohen dy persona, u kapën me 655 gramë heroinë
Sipas burimeve të policisë, mendohet se sasia e heroinës ka pasur si destinacion tregun vendas
FIER Dy persona bien në pranga, teksa kanë qenë duke transportuar një pako të mbushur me lëndë narkotike, të dyshuar si heroinë. Pakoja peshonte 655 gram. Bledar Abazaj, 30 vjeç, banor në lagjen “5 Shkurti” në Ballsh, si dhe Altin Hasanaj, 36 vjeç, lindur dhe banues po në këtë lagje, në Ballsh. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim".
Prej disa kohësh, Seksioni i Shërbimit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarku Fier, ishin vënë në ndjekje dhe mbikëqyrnin lëvizjet e këtyre dy personave. Kjo, pas informacioneve të shumta, të mbledhura nga specialistë të këtij seksioni, për veprimtari të paligjshme të këtyre shtetasve në fushën e narkotrafikëve. Sipas burimeve nga policia, ata nuk janë vetëm transportues të drogës, por edhe pjesë e një rrjeti narkotrafikantësh, që shesin lëndë të ndaluar, kryesisht në nxënësit e shkollave të mesme, por edhe në njerëz të tjerë, të përfshirë në rrjetin e tregtisë së tyre.
Natën e së shtunës, pasi janë parë edhe veprimet e tyre, ata janë ndjekur prej inspektorëve antitrafik. Në vendin e quajtur “Kthesa e Patosit”, në aksin rrugor Fier- Ballsh, është ndaluar prej policisë edhe mjeti me të cilin ata udhëtonin, një mjet tip Fugon, me targa MK 3779 A, në pronësi të shtetasit Bledar Abazaj. Gjatë kontrollit, atyre iu gjet edhe sasia e drogës, e mbështjellë në një pako, e cila pasi është peshuar ka rezultuar me peshë 655 gram. Policia ka sekuestruar dy telefona celularë, disa karta telefoni, mjetin fugon, si dhe sasinë e lëndës së dyshuar për heroinë. Të njëjtat burime policore kanë saktësuar se përveç dy të rinjve, në komisariat të policisë janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, me banim kryesisht në rrethin Mallakastër, ndërkohë që për arsye hetimi burimet nuk saktësuan numrin e të shoqëruarve, si dhe nëse ata janë pjesë e një grupi të mirëorganizuar. “Policia po kryen veprimet e saj hetimore dhe më pas gjithçka do të saktësohet, dhe me plotësimin e dosjes përkatëse do të bëhen të ditura gjithë detajet e operacionit”, tha zëdhënësja e policisë Fier. Ndërsa materialet procedurale i kaluan organit të akuzës së këtij rrethi, me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim.