Vlorë, zhduket njeriu që hoqi emrin e Ismail Qemalit
Rektori që inicioi ndryshimin e emrit të Universitetit nuk ndodhet në qytetin e Vlorës. Reagojnë anëtarët e senatit
VLORË- Njeriu që ka iniciuar ndryshimin e emrit të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës është “zhdukur” vetëm pak ditë pas nisjes së debatit. Rektori Shaskaj nuk është gjendur asnjë nga këto ditë në Universitet por as në qytetin e Vlorës. Madje në shkollë janë hapur fjalë se ai ka dhënë dorëheqjen por për të shuar këto zëra ka folur dje zëvendës rektorja e universitetit. Pranvera Resuli ka shpjeguar dje se rektori ishte me leje prej ditës së djeshme dhe ka komunikuar me të direkt për probleme pune. Po me leje priten të ikin një ditë më pas edhe anëtarët e tjerë të senatit. Pranvera Resuli tha se edhe Ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për këtë çështje. “I vetmi komunikim që kemi pasur me Ministrinë e Arsimit është një shkresë që na ka ardhur në lidhje me buxhetin. Ministria nuk ka marrë asnjë masë për rektorin. Ai ka ikur me leje dhe ka të drejtë të largohet për këtë. Unë komunikoj direkt me të për çështje pune dhe vetëm kaq”,- tha dje Pranvera Resuli.
Ndërkohë pas vendimit të senatit të universitetit “Ismail Qemali” për ndryshimin e emrit në Universiteti i Vlorës ka reaguar dje edhe ish- rektori dhe dekan në fakultetin e Edukimit, Bilal Shkurtaj. Ai është një nga anëtarët e senatit që ka votuar kundër vendimit për ndryshimin e emrit dhe tha dje se vendimi ishte i pamatur e shumë i nxituar. Sipas Shkurtajt, tani ka nevojë për një analizë të thellë pas kësaj ngjarjeje. “Ne jemi të nderuar që kemi mbajtur dhe mbajmë emrin e nderuar të themeluesit të shtetit. Shumë pedagogë e studentë janë të indinjuar nga ky veprim. Senati ka ngelur në klasë dhe kjo duket të reflektohet me analizë të kësaj situate”,- tha dje profesori Shkurtaj. Ai ndër të tjera theksoi se së fundmi ka pasur edhe vendime të gabuara dhe procedura po të tilla të cilat i ka kundërshtuar. “Së fundi jo pak herë është proceduar edhe në mënyrë të parregullt, të cilat gjithashtu ne duhet t’i rishikojmë me seriozitetin e duhur” tha Shkurtaj. Sipas tij, në lidhje me shpërndarjen e diplomave, të cilat nuk kanë pasur emrin e Ismail Qemalit, se ato nuk kanë qenë të sigluara dhe me elementët e duhur të sigurisë, kanë qenë thjesht certifikata, pasi kanë pasur vetëm efekt për ceremoninë e zhvilluar për të diplomuarit. Në lidhje me firmën e tij të vendosur te to me emër të ndryshuar tha se është vetëm shkujdesje dhe nuk është vënë re nga dekanët, duke qenë se detaje të tilla në këto raste nuk i shikon me vëmendje.