Fier, grinden të rinjtë, një i plagosur rëndë
FIER – Një grindje banale mes të rinjve në Fier për pak ka sjellë vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa autori i plagosjes së rëndë me pistoletë është shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45 të së martës në lagjen “Liri” të Fierit, kur dy 20- vjeçarët, Julian I. dhe Endrit B. janë konfliktuar me dy persona të tjerë. Pas një sherri që ka zgjatur disa minuta, 21-vjeçari Eni Veshi, ka nxjerrë një pistoletë të tipit “TT”, të cilën e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtimit të Julianit. Plumbi e ka goditur këtë të fundit në kraharor dhe e ka lënë pa ndjenja në tokë, ndërkohë që bashkë me të ndodhej edhe Endriti, i cili nuk ka mundur të bëjë asgjë për të evituar plagosjen. E shtëna e pistoletës ka sjellë në vendin e ngjarjes policinë dhe banorët e zonës, të cilët kanë dërguar të plagosurin në spital. Ndërkohë, autorët Eni Veshi dhe Lorenc Buzi janë shpallur në kërkim. m.r.