Trafiku i drogës, Apeli lë në burg 5 ndërtuesit
TIRANE – Ankimi në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda për masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk i shpëtoi nga qelia pesë biznesmenët e arrestuar nga operacioni policor “Ndërtuesi”. Togat e zeza të Apelit lanë dje në fuqi vendimin e dhënë nga Shkallës e Parë e Krimeve të Rënda në 25 korrik. Sipas këtij vendimi, biznesmenët u lanë në “arrest me burg” për akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Në vendimin e saj gjykata refuzoi edhe garancitë pasurore të ofruara nga të pandehurit. Paraditen e djeshme, Arben Veliko, Dritan (Orges) Jahelezi, Latimir Hoxha, Panajot Dhiamandi dhe Sokol Kashta, u paraqitën përpara togave të zeza të Gjykatës së Apelit. Burime brenda seancës pohuan se avokatët mbrojtës të të pandehurve i kërkuan gjykatës caktimin e një mase sigurie më të lehtë se ajo e “arrestit me burg”. Po sipas burimeve, të pandehurit mësohet të kenë ofruar garanci pasurore në vlerën që do të caktonte gjykata, në këmbim të lirisë. Ndërsa i pandehuri Sokol Kashta, duke pretenduar se nuk ishte pjesë e grupit të trafikut,i ka pohuar gjykatës se ishte i gatshëm të vendoste si garanci edhe shtëpinë e tij. Në vendimin e saj gjykata e Apelit nuk e ka pranuar këtë kërkesë dhe ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest me burg”. Biznesmenët Veliko, Jahalezi, Hoxha, Dhiamandi dhe Kashta, u arrestuan mbrëmjen e 25 korrikut me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda, të miratuar nga Gjykata. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, ata dyshohet se në bashkëpunim me disa shtetas shqiptarë në Itali, kanë trafikuar në vitin 2008 një sasi prej 12 kilogramë lëndësh narkotike, heroinë, drejt shtetit fqinj. Po nga ky operacion janë arrestuar më parë në Itali edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, Julian Kajdo e Eduart Toshkollari. Sipas prokurorisë, rol parësor në trafikimin e lëndës narkotike kishte i pandehuri Veliko. Ndërsa dekonspirimi i trafikut erdhi pas një debati për cilësinë jo të mirë të drogës. Ndërkohë, ditët e fundit është shpallur në kërkim edhe A. Goci, që dyshohet të jetë i teti në grup. ar.ba