E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Identifikohet telefonuesi anonim Klodian Bizhga, me probleme mendore Alarm i rremë për bombë në QTU Kapet autori në Tiranë, ish-punonjës i qendrës tregtare

Telefonoi për bombë te QTU-ja pasi e shkarkuan nga puna, arrestohet ish-punonjësi 30-vjeçar i qendrës tregtare.

Policia e kryeqytetit pohoi dje se një telefonatë anonime për bombë kishte vënë në panik strukturat e rendit, të cilat kanë krehur me njësi anti-eksploziv gjithë objektin ditën e djeshme. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme dhe shkaktoi pezullimin e punës në këtë njësi biznesi deri në orën 13:15 të mesditës, kur gjithçka iu rikthye normalitetit. Menjëherë pas kësaj policia nisi hetimin për ngjarjen, duke bashkëpunuar me kompanitë celulare në vend për të zbuluar autorin e alarmit të rremë. Pa kaluar pak orë, në sajë të punës operative, u arrit të zbulohej se autori i telefonatës ishte 30-vjeçari, Klodian Bizhga, me banim në Kashar. Ky pasi kishte alarmuar policinë e kryeqytetit dhe punonjësit e klientët e biznesit privat, ishte strehuar në Tiranë, në një banesë në rrugën “Irfan Tomini”. Pas kësaj policët nuk e patën të vështirë ta prangosnin dhe ta dërgonin në qeli, ku pas verifikimeve të para ka rezultuar se 30- vjeçari ishte ish-punonjës i kësaj qendre tregtare. Ai ishte pushuar nga puna rreth 5 ditë më parë për shkak të disa problemeve që kishte sjellë aty. Policia pohoi dje se pas pushimit nga puna, në shenjë hakmarrjeje, i riu kishte vendosur të kryente telefonatën anonime me qëllimin që të ngjallte panik dhe të dëmtonte biznesin. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje në ambientet e policisë, ky person ka paraqitur probleme mendore pasi ka dhënë deklarime, që sipas bluve manifestonin turbullirë psikike. Ende nuk dihet nëse këto deklarime janë marrë për bazë apo policia ka vepruar në sajë të provave të mbledhura në ngarkim të të pandehurit. Pas kësaj, policia pohoi se materiali në ngarkim të të riut Bizhga iu kalua Prokurorisë së Tiranës, i dyshuar për konsumim të veprave penale “përhapje e informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “njoftimi i rremë në organet rendit”, parashikuar nga nenet 272 dhe 267 të Kodit Penal. Nën këto akuza pritet që në ditët në vazhdim i riu të dërgohet në Gjykatën e Tiranës, ku do të përballet me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›