E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i bashkisë paditi zv.ministrin e Brendshëm për deklaratat S‘paraqitet Bashkia, gjykata pushon padinë e Ramës ndaj Ferdinand Ponit

Sipas nenit 179/1 të Kodit të Procedurës Civile: “Nëse paditësi ose asnjë nga palët, pa ndonjë shkak të arsyeshëm nuk paraqiten, si në veprimet përgatitore, ashtu edhe në seancën gjyqësore dhe rezulton se kanë dijeni rregullisht, gjykata apo gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit”.

TIRANE – Gjykata e Tiranës ka pushuar një padi të Bashkisë Tiranë ndaj zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinad Poni, sipas së cilës zv.ministri duhet t’i paguante bashkisë 20 milionë lekë. Sipas padisë, zv.ministri Poni kishte dhënë deklarata në lidhje me një debat mbi pronësinë e truallit të kompleksit “Tajvan” pranë Parkut Rinia, që kishin cenuar dinjitetin e bashkisë. Shkak i pushimit të padisë është bërë mosparaqitja në proces e palës paditëse në këtë çështje, Bashkia Tiranë. “Në seancën përgatitore të datës 09.06.2010, paditësi nuk u paraqit në gjykim, megjithëse kishte dijeni rregullisht për këtë seancë përgatitore. Po ashtu, në këtë seancë u paraqit pala e paditur, e cila në lidhje me mungesën e palës paditëse u shpreh: “Të veprohet sipas procedurës. Të pushohet çështja”, - thuhej në vendimin e Gjykatës. Në përfundim, gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit. Padia në fjalë u depozitua në Gjykatën e Tiranës në 21 dhjetor të vitit 2009. Palë paditëse e saj ishte kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ndrysa palë e paditur, zv.ministri i brendshëm, Ferdinand Poni. Sipas padisë, kryebashkiaku Rama i kërkonte gjykatës “detyrimin për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 20 milion lekëve”. Ndërkohë që pak ditë pas pushimit të këtij gjykimi në Gjykatën e Tiranës është regjistruar një tjetër padi simotër e saj. Paditësi dhe pala e paditur janë të njëjtët dhe po ashtu edhe objekti i padisë. Në padinë e regjistruar në 2 korrik, ndryshon vetëm shuma e dëmshpërblimit, e cila këtë radhë është 2 milionë lekë. Shqyrtimi i saj pritet të nisë në shtator. Kjo padi e dytë erdhi pas deklaratave të zv. ministrit për adresarin e ri të Tiranës, në 26 qershor të këtij viti. “Ajo që Rama u përpoq të trumbetonte si sukses dje, është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, në mars 2009, në tetor 2009, por fatkeqësisht edhe sot që flasim informacioni nuk është i plotë dhe as në përputhje me standartet e Projektit të Sistemit të Adresave. Materialit të bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion teknik me to”, - u shpreh Poni në deklaratën për të cilën u padit më pas nga Bashkia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›