Misteri, vdesin natën foshnjat binjake
DURRES/ OERD ULQINIVdesin njëri pas tjetrit dy foshnja binjake në Durrës, ndërsa mjekët ende nuk kanë mundur të përcaktojnë shkakun. Nëna e viktimave konstatoi ngjarjen gjatë natës, kur ajo gjeti njërin prej binjakëve pajetë, ndërsa tjetrin që po jepte shpirt teksa nxirrte shkumë nga goja. Rrethanat e ngjarjes kanë mbetur ende enigmatike, duke lënë me supe të ngritura edhe specialistët më të mirë të mjekësisë, ndërsa mjekët ligjorë po kryejnë autopsinë për të përcaktuar shkakun e mundshëm të vdekjes së foshnjave vetëm 5 muajshe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 02:30 minuta të së enjtes, në fshatin Fllakë të Katundit të Ri në Durrës. Policia mbërriti menjëherë në këtë fshat, pasi u njoftua nga prindërit rreth orës 09:30 të së enjtes. Sipas policisë, foshnjat e vdekura M.Vajdulla dhe B. Vajdulla, janë binjake, të ditëlindjes 13 korrik 2009. Një hetim shumëplanësh, ka nisur nga ana e policisë së Durrësit mbi ngjarjen në fjalë. Specialistët e grupit hetimor bënë të ditur se nuk përjashtojnë asnjë pistë për vdekjen e dy foshnjave. Gjatë hetimit të kryer, bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga prindërit e viktimave, grupi i hetimit nuk përjashton as pistën e ndonjë reaksioni të mundshëm nga një vaksinë që dy vogëlushëve iu është bërë katër ditë e 12 orë përpara vdekjes. Bëhet fjalë për një vaksinë rutinë, që e bëjnë fëmijët në muajin e pestë të jetës dhe që kryhet me detyrim në qendrën shëndetësore. Por sipas burimeve kjo nuk është pista kryesore në të cilën po hetohet, për shkak edhe të distancës së madhe kohore nga dita e vaksinimit. Specialistët e mjekësisë kanë pohuar se efekti maksimal i vaksinës në raste reaksionesh është 24 orë. Kjo ka bërë që ekspertët e policisë të kërkojnë shkaqe të tjera mbi vdekjen, duke dyshuar tek helmimi apo prezencën e ndonjë bakteri në ushqimet e konsumuara nga të miturat. Edhe fakti që binjakët (vajzë dhe djalë) po kalonin një gjendje të lehtë gripale pak orë përpara vdekjes po analizohet me shumë kujdes nga mjekësia ligjore. Vajza dhe djali janë gjetur me shkumë në gojë (njëri kishte vdekur më parë), fakt i cili po i orienton hetuesit drejt pistës së helmimit nga ushqimi. Rreth orës 20:00 të datës 16 dhjetor, dy foshnjat janë ushqyer nga nëna e tyre me biskota me qumësht dhe më pas janë vënë për të fjetur. “Nuk kishin temperaturë të lartë dhe pas vaksinimit fëmijët nuk kanë paraqitur ndonjë shqetësim”, është shprehur mes lotëve e pyetur nga hetuesit, e ëma e binjakëve. Gjithçka mbetet e rrethuar nga misteri, ndërkohë që policia ka marrë kampione për ekzaminim nga qumështi (bagëtie) që kanë konsumuar të vegjlit. “Rreth orës 02:30 të datës 17 dhjetor dy fëmijët janë gjetur nga nëna e tyre në krevat, njëri i vdekur dhe tjetri në momentet e fundit të jetës, dhe me shkumë në gojë”, bëri të ditur dje policia e Durrësit. Mësohet se pas konstatimit të gjendjes së foshnjave, prindërit e tyre kanë thirrur me urgjencë mjekun e fshatit Fllakë. Por pas mbërritjes në banesën e familjes Vajdulla, mjeku iu konfirmoi atyre se të dy foshnjat kishin ndërruar jetë. Prindërit: Nuk kishin temperaturë të lartë“Nuk kishin temperaturë të lartë. Pas vaksinimit asnjëri nga fëmijët nuk paraqitën ndonjë shqetësim. Edhe përsa i përket gripit që po kalonin, nuk ishte i rëndë dhe vogëlushet dukej se po e përballonin mirë”, është shprehur në polici nëna e viktimave. Të njëjtin fakt ka pohuar edhe babai i dy binjakëve G. Vajdulla, një 30 vjeçar nga Fllaka, i cili kërkon të qetësojë sadopak bashkëshorten, duke ndarë së bashku dhimbjen me të. Binjakët ishin përkatësisht fëmijët e dytë dhe të tretë të çiftit Vajdulla. Ata ishin bërë prindër disa vite më parë, kur lindi djali i tyre i madh. Dhimbje dhe lot pa fund derdheshin dje për vdekjen e vajzës dhe djalit pesë muajsh, të cilët erdhën në jetë së bashku dhe u larguan gjithashtu së bashku. Tragjedia e dyfishtë ka tronditur të gjithë fshatin Fllakë, familjet e të cilit kanë nisur të ngushëllojnë masivisht shtëpinë e zhytur në zi. E pamundur të sëmuresh nga vaksina“është e pamundur të sëmuresh nga vaksinat, ajo kurrsesi nuk shkakton sëmundje. Por përpara se këto vaksina të bëhen duhet kontrolluar mirë gjendja shëndetësore e personit që i nënshtrohet vaksinimit”, shprehen specialistët. Sipas dëshmive të marra nga familjarët, në momentin e vaksinimit fëmijët kanë gëzuar shëndet të plotë, madje e kanë përballuar mirë këtë vaksinë të fortë, duke reaguar në një mënyrë mjaft të mirë. Vetëm dy ditë pas vaksinimit (kur përfundon krejtësisht efekti i vaksinës) janë shfaqur shenjat gripale me temperaturë deri në 38.5 gradë celsius tek binjakët. Duke u nisur nga mosha e vaksinimit të fëmijëve, specialistet shpjegojnë se në këtë fazë fëmijëve u bëhet një vaksinë e njohur si “pentavaksina”, e cila përmban një kompleks vaksinash si D.T.P. e cila përfshin: Difterit, Tetanoz, Pertus (kollën e mirë) si dhe HVB hepatitin B (verdhëzën) dhe H.I.B., vaksinën kundër meningjitit.