Fier, kapet adoleshenti hajdut, shpëtojnë tregtarët e qytetit
/>Qyteti i Fierit ishte kthyer kohët e fundit ndër më problematikët përsa i përket grabitjes së kioskave e lokaleve të vegjël. E ndërsa vetëm pak kohë më parë u vendosën në prangat e bluve disa shtetas, mes të cilëve edhe minorenë, dje sektori krimit të organizuar në Komisariatin e Fierit ka arritur të ndalojë një 15- vjeçar, i cili prej kohësh ishte kthyer në një makth për pronarët e kioskave.
Adoleshenti prej kohësh ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të dalë nga gjykata e të miturve në rrethin e Vlorës. Burime të policisë Fier pohojnë se pas marrjes në rrugë operative të informacionit kanë arritur të zbulojnë vendndodhjen e 15- vjeçarit Mentor Mersini, banor i komunës së Levanit. Por në bazë të dokumenteve të mbledhura është zbuluar se Mersini nuk operonte i vetëm në këtë fushë. Në bashkëpunimi me shtetasit Vangjel Hajdini, që tashmë është nën arrest, dhe Vasil Alushi e Spartak Muharremi, të shpallur në kërkim, 15- vjeçari grabiste me anë të thyerjes kioska e dyqane në rrugët e qytetit të Fierit, duke i detyruar pronarët e tyre të mbyllnin aktivitetin. I gjithë materiali i grumbulluar ka treguar se 15- vjeçari në bashkëpunim me tre shtetasit e tjerë ka arritur të grabisë brenda një harku të shkurtër kohor disa kioska në lagje të ndryshme të qytetit si "Konferenca e Pezës", "Kongresi i Përmetit" dhe "Liri", duke marrë prej aty mallra të ndryshme si paketa e karta telefoni, të cilat më pas janë përdorur e shitur nga grabitësit.