Fier, kreu i rrethit pritet të zgjidhet sot
është shtyrë për ditën e sotme procesi i rivotimit për zgjedhjen e kryetarit të ri për organizatën e rrethit Fier të Partisë Socialiste. Pas procesit të parë të votimit, rezultati i të cilit nxori në balotazh kandidatët, anëtarët e pranishëm kanë vendosur të rivotojnë. Kjo ka ardhur edhe pas vendimit të marrë me shpejtësi nga asambleja. Por, ndërsa ishte zhvilluar pushimi i nevojshëm pas votimit të parë, si dhe numërimit të votave dhe pasi ka nisur rivotimi i një pjesë e madhe e anëtarësisë socialiste është larguar nga salla e teatrit "Bylis" ku dhe po zhvilloheshin të shtunën zgjedhjet. Duke parë largimin e dhjetëra anëtarëve, asambleja ka vendosur zhvendosjen e procesit të rivotimit ditën e hënë. Ka qenë mbledhja e Asamblesë së PS-së Fier ajo që ka nisur në orën 17:00 të ditës së shtunë për të votuar strukturat e reja drejtuese të saja. Nga 39 kandidatë të votuar nga baza, Asambleja e Përgjithshme e PS-së ka vlerësuar të paraqesë për votim tre kandidatë, të cilët janë Oldrin Alushi, Pëllumb Hazizi dhe Xhavit Bushi. Para fillimit të votimit, kreu i Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, Gramoz Ruçi, i pranishëm në këtë mbledhje të rëndësishme, është shprehur para të pranishmëve që të kenë durim derisa të përfundojë votimi, i cili sipas tij, në rast se kandidatët nuk fitojnë mbi 50 për qind do të ketë raund tjetër që do të zhvillohej po të shtunën. Pas përfundimit të numërimit të procesit të parë të votimit, doli se nga 324 votues kishin votuar për Pëllumb Hazizin 139, për Xhavit Bushin 130, kurse për Oldrin Alushin kishin votuar 48. Ky rezultat nuk formonte kuorumin e nevojshëm të njërit prej fituesve.
#