E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet me pagesë, vartësit indiferentë ndaj informacioneve të qendrës

Analizat e bëra nga specialistët në Drejtorinë e Përgjithshme dërgohen në bazë, por askush nuk i merr në konsideratë

Disa nga vrasjet e pazbardhura në Tiranë e kanë vënë policinë përballë në vështirësi për gjetjen e autorëve. Nuk është rastësi që për tre prej tyre nuk disponohen të dhëna rreth këtyre të fundit. Nga analizat që janë bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, këto vrasje mendohet të jenë realizuar nga persona të paguar. Për këto vrasje dikasteri qendror i uniformave blu iu ka nisur informacion Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por duket se këta të fundit nuk e kanë marrë seriozisht analizën e të dhënave të eprorëve të tyre, që është mbështetur mbi të dhënat e dosjeve. Burime konfidenciale thanë për gazetën “Shqip” se duke iu bërë një shqyrtim dosjeve të këtyre ngjarjeve, provave të mbledhura apo dhe deklaratave të personave që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje, në disa raste këta të fundit kanë qenë të njohur të viktimave, është arritur në përfundimin se atentatet janë kryer nga persona që nuk njiheshin nga viktimat. Ata thuhet se kanë qenë vrasës profesionistë të paguar nga të interesuarit që kanë dashur të heqin qafe kundërshtarët. Sipas specialistëve në qendër ekzekutorët janë njerëz që nuk kanë asnjë njohje apo konflikt me personin të cilin duan ta eliminojnë. Organizimi i vrasjes merret përsipër nga marrësi i porosisë, ndërsa porositësi, i cili ka konflikt me të shënjestruarin, ka gjithnjë alibinë perfekt të mospërfshirjes në vrasjen e kundërshtarit të tij. Të paktën tri vrasje të ndodhura në Tiranë nga fundi i marsit të këtij viti e deri më 8 korrik, të cilat janë realizuar fare pranë qendrës së Tiranës, mendohet të jenë të vështira për policinë lokale, pasi duket se realizimi i tyre është perfekt. Vrasësit me pagesë janë të kujdesshëm kur kryejnë detyrën e tyre, duke mos u lënë shteg uniformave blu për identifikimin e tij. Por, pikërisht këtu ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mendojnë se hetimet duhet të përqendrohej të konfliktet e viktimave me persona të tjerë, ish-bashkëpunëtorë të kthyer në kundërshtarë apo bashkëpunëtorë aktualë që pas pazareve të prishura kërkojnë eliminimin e njëri-tjetrit duke paguar killerat. Specialistët e qendrës u kanë sugjeruar kolegëve të tyre se në të tria rastet e vrasjeve më të fundit në Tiranë, asaj të Spartak Canajt, ndodhur më 30 mars 2010, Elton Lulos, realizuar vetëm gjashtë ditë më pas, apo dhe Franc Konomit, më e freskëta që daton më 8 korrik, janë përdorur pistoleta me silenciator. Po sipas tyre, viktimat kanë pasur konflikte, që uniformat blu i dinë, për shkak se kanë qenë elementë me precedentë penalë. Sipas ekspertëve, objektivi në rastet e përmendura më sipër është eliminimi i personave që kanë hasmëri, nga ata që u rrezikohet jeta, apo dhe i konkurrentëve në të njëjtin aktivitet kriminal. Ekspertët mendojnë se në rastin e këtyre vrasjeve është përllogaritur imtësisht skema për të realizuar një eliminim të suksesshëm. Vrasësi ka llogaritur gjithçka, duke filluar që nga lëvizjet e objektivit e deri te përcaktimi i kohës dhe vendit të ekzekutimit. Po ashtu e mirëmenduar është edhe tërheqja pa pasoja, duke u ikur policisë. Shembujt janë konkretë për të paktën disa vrasje në kryeqytet.

Sipas ekspertëve, ekzekutimi misterioz i Spartak Canajt, natën e 30 marsit në Tiranë, dyshohet të jetë realizuar nga profesionistë të fushës, pra nga vrasës me pagesë. Nga verifikimet e atyre provave të gjetura në vendngjarje hetuesit kanë nxjerrë konkluzionin se vrasja është realizuar me mjeshtri të madhe nga autorët e ngjarjes. Kanë qenë grupi hetimor ai që ka ngritur si pistën më të mundshme atë të “konfliktit për pronat”. Nga informacionet e marra që policia ka marrë në mënyrë operative dyshohej se Spartak Canaj u bënte presion biznesmenëve për pronën që kishte në periferi të Tiranës, në Yzberisht. Këtë pronë, sipas tyre e ka shitur disa herë.

Edhe për vrasjen e Elton Lulos u mendua se edhe ajo ishte tejet e vështirë për t’u zbardhur, për shkak të dëshmitarëve, ku të gjithë janë shprehur se nuk e kanë parë dhe nuk e njohin autorin e saj. Sipas hetuesve, vrasja mund të ketë qenë e porositur nga persona të tjerë, me të cilët 29-vjeçari Lulo do të ketë pasur konflikte. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, 29-vjeçari u qëllua rreth orës 21.45 të datës 5 prill, në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë, në ambientet e lokal “Cozmos”, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij, Bledar Caca, 27 vjeç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›