E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, kundërshton forcat e policisë, prangoset 45 vjeçari

Policia e Fierit ka vënë në pranga shtetasin Bujar Ferko, 45 vjeç, pasi akuzohet se ka përdorur dhunë ndaj 4 uniformave blu të grupit të gatshëm të komisariatit të policisë së këtij qyteti. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit. Sipas tyre, pasditen e së premtes, 45- vjeçari Ferko ka qenë në një lokal pranë shkollës së mesme të Muzikës, ku ka qenë duke konsumuar alkool me një të njohurin e vet. Të njëjta burime shtojnë se më pas, ata kanë debatuar mes tyre. Një prej klientëve të lokalit ka njoftuar shërbimin policor pa pagesë dhe në lokal ka shkuar një automjet i policisë me 4 policë të grupit të gatshëm. Ndërhyrja e policisë në lokal ka qenë e vështirë pasi 45- vjeçari kishte konsumuar alkool dhe ka reaguar ndaj ndërhyrjes së policëve. Burimet e policisë konfirmuan se ai nuk i është bindur urdhrit të tyre për ta shoqëruar, por i ka kundërshtuar, duke i qëlluar dhe duke u këputur kopsat e uniformës që ata kishin veshur. Në këto momente, policët e grupit të gatshëm kanë bërë shoqërimin e tij me forcë për në ambientet e policisë. Por burimet e informacionit sqarojnë se dhuna e të ndaluarit nuk ka reshtur as brenda tyre. Ky shtetas pasi është futur në dhomën e izolimit 10 orarësh, ka thyer xhamat e saj si dhe tavolinën që ndodhej aty brenda dhe vlera e dëmit kap shifrën e 30 mijë lekëve të reja. Ndaj Ferkos ekziston masa e arrestimit për veprën penale të fyerjes për shkak të detyrës, kundërshtimit të urdhrit dhe përdorimit të dhunës ndaj uniformave blu të policisë.

Email This Klikime: 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›