E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, studenti i infermierisë kapet me 100 kg marihuanë

Droga kishte destinacion Greqinë. Policia, në kërkim të 3 pjesëtarëve të tjerë të grupit
Pas disa ditësh të "qeta", rikthehen sërish operacionet antidrogë në kufi. Një student i infermierisë është kapur në flagrancë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në kufirin shqiptaro-grek me rreth 100 kg marihuanë, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë. Operacioni që bëri të mundur kapjen e sasisë së drogës ishte koduar me emrin Manastiri, dhe u drejtua nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare, Kakavijë. Operacioni ka zgjatur disa orë, teksa blutë janë vënë në ndjekje të 4 personave, të cilët ishin ngarkuar me drogë. Por për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, u bë e mundur kapja vetëm e njërit prej poseduesve të drogës, si dhe sekuestrimi i plotë i kësaj të fundit.
Operacioni
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se efektivët ishin informuar që në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek mund të transportohej një sasi lënde narkotike. Ndërkaq, gjatë mbajtjes nën vëzhgim të terrenit dhe situatës, rreth orës 19:00 të ditës së premte u konstatuan 4 persona anës lumit Drino, në afërsi të fshatit Llongo. Sipas burimeve të policisë, personat e parë si të dyshuar, ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim vijës së kufirit me shtetin grek. Menjëherë shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shërbimet e Policisë Kufitare, u vunë në ndjekje të personave. Pas një ndjekjeje të gjatë në një terren tepër të vështirë, rreth orës 00:30 në vendin e quajtur Manastiri fare pranë vijës së kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve. Bëhet fjalë për shtetasin Evaris Pasha, 29 vjeç, student në Universitetin Eqerem Çabej Gjirokastër, në vitin e parë, dega Infermieri. Në momentin e arrestimit, mësohet se Pasha ishte i armatosur me një armë zjarri tip kallashnikov me fishekë në gojë. Megjithatë, ai nuk ka provuar të qëllojë në ndritim të bluve. Bashkë me 29- vjeçarin u bllokua dhe lënda narkotike, e cila ishte e ambalazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban, të futura në 4 çanta të mëdha, gjithsej rreth 100 kilogramë. Policia lokale konfirmoi se personat e tjerë mundën të largoheshin, duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë. Por, gjithsesi të njëjta burime shtojnë se tashmë është arritur të bëhet i mundur identifikimi i personave dhe po punohet për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Të tre personat e larguar nga vendi i ngjarjes janë shpallur në kërkim. Policia sekuestroi lëndën narkotike dhe armën e studentit në cilësinë e provës materiale. 29- vjeçari akuzohet për veprën penale të Trafikut Ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

Email This Klikime: 17

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›