E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike prek edhe listën e barnave

Aprovohen barnat e listës së re me rimbursim. Komisioni i hartimit të listës së barnave tashmë ka mbyllur misionin, duke dorëzuar pranë sekretarisë së Këshillit të Ministrave projektvendimin e kopsitur në çdo pjesë të tij. Me gjithë dëshirën e mirë që kishin anëtarët e komisionit të hartimit dhe miratimit të listës së barnave, për të pasuruar këtë "shportë mallrash", nuk kanë mundur të bëjnë më shumë se sa mbajtjen e balancave. Peshorja e situatës aktuale, për sa i takon blerjes dhe tregtimit të barnave në një kohë kur çmimi i euros në tregun e valutës vetëm rritet dita-ditës, ka qenë në qendër të diskutimit mes anëtarëve të komisionit. Pas mbledhjes së sugjerimeve, diskutimeve dhe balancimit të fakteve është rënë dakord që kjo listë do të jetë më shumë e ngjashme me listën e fundit të barnave me rimbursim, atë të vitit 2009.

Lista e re e barnave

Lista e re e barnave me rimbursim pritet të miratohet brenda një kohe të shkurtër nga Këshilli i Ministrave. Këtë herë aprovimi dhe dorëzimi i projektvendimit ka qenë i parakohshëm. Por ky vendim është marrë që në muajin shtator nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka sqaruar se lista e re e barnave me rimbursim do të hyjë në fuqi në muajin 1 janar 2010.

I pyetur lidhur me përmbajtjen e listës së re, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sqaroi: "Kategoritë që do të përfitojnë nga kjo listë, do të jenë pacientët kronikë, pensionistët. Lista e re e barnave me rimbursim pritet të miratohet nga qeveria. Jemi munduar që të ruajmë balancat dhe të mos ta cenojmë atë. Kjo duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të euros. Sipas vendimit për barnat, çmimi i këmbimit llogaritej me 125", sqaroi ministri. Sipas tij, lista e re e barnave nuk pritet të ketë ilaçe tepër të shtrenjta. Por talasemikët, pensionistët, pacientët kronikë, do të vazhdojnë të rimbursohen.

"Sigurisht që do të veprohet edhe nëpërmjet rimbursimit spitalor. Jo të gjithë pacientët mund të përfitojnë nga lista e barnave, nga lista do të përfitojnë kategoritë e përfshira në listë deri tani", sqaroi Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›