E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, nis tregtimi i vaksinës së gripit sezonal

Fluks tërheqjesh për vaksinat e gripit normal në të gjitha farmacitë e qytetit të Fierit. Frika e përhapjes së virusit AH1N1 dhe ndryshimi i temperaturave gjatë ditëve të fundit ka bërë që këtë javë qytetarët t‘i drejtohen farmacive për të blerë vaksinën e antigripit sezonal. "Ka pasur një tërheqje ditore që shkon deri në 60 vaksina antigrip", na thonë në një nga farmacitë e qytetit. Mësohet se vaksinat janë tërhequr kryesisht për fëmijët dhe të moshuarit, pasi mendohet se janë kategoritë me sistem imunitar më të ulët dhe më të ndjeshëm ndaj viruseve.

Por, ndryshe nga kjo vaksinë që është drejt përfundimit në Fier, ajo kundër virusit AH1N1 mungon në depon farmaceutike të spitalit rajonal. Burimet spitalore thonë se kjo vaksinë do të mbërrijë shumë shpejt, pasi kështu është premtuar nga Ministria e Shëndetësisë. "Mendoj se koha e sigurimit të vaksinës kundër AH1N1 do të mund të bëhet në kohë, pasi sa të verifikohet që pacienti ka këtë virus kërkesa për këtë vaksinë ka marrë formë të prerë dhe është realizuar", thonë drejtues të reparteve të spitalit rajonal. Java e fundit jo vetëm që ka rritur fluksin e tërheqjes së vaksinës kundër gripit normal, por ka shtuar edhe numrin e pacientëve në urgjenca dhe spitale. Jo vetëm në spitalin rajonal, por edhe në atë pediatrik numri i pacientëve është rritur ndjeshëm. Deri më tani në Fier nuk është shënuar asnjë rast i dyshuar me virusin e rrezikshëm AH1N1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›