E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topi: Harmonia fetare, ndër tiparet më të vyera

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, vizitoi dje paradite Bashkësinë Myslimane Shqiptare, për të shprehur urimet më të ngrohta e të mira me rastin e festës së Fiter Bajramit. Në hotel "Tirana Internacional", kreu i shtetit takoi dhe uroi kryetarin e kësaj bashkësie, Selim Muça, dhe më pas vizitoi dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit përzemërsisht nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Reshat Bardhi. Presidenti është shprehur se "uroj që Fiter Bajrami, kjo ditë e pastrimit dhe dëlirësisë shpirtërore, që vjen pas muajit të shenjtë të agjërimit e përkushtimit, të na ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, plot dashuri për familjet e të afërmit e me më tepër patriotizëm për Shqipërinë". Topi theksoi më tej se kjo është një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, duke shtuar se harmonia dhe toleranca fetare, festimi i përbashkët i festave fetare përbëjnë disa nga tiparet e vyera të bashkëjetesës së kombit tonë, që ne i kemi trashëguar nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë edhe më shumë vlerat e familjes së përbashkët europiane, pjesë e së cilës do të jemi edhe formalisht së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›