E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësim ekstra për gripin e derrit

Autoritetet e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier i kanë kërkuar institucioneve arsimore të rrethit zhvillimin e orëve speciale për njohjen e virusit AH1N1. Në mungesë të një propagande të munguar nga autoritetet shëndetësore, si dhe në pamundësi për të mbuluar me propagandë numrin e lartë të institucioneve arsimore që regjistron Rrethi i Fierit, drejtues të Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë kërkuar që të gjitha shkollat e të gjitha sistemeve, qofshin publike apo jopublike, të zhvillojnë një herë në javë leksione për njohjen e shenjave dhe mënyrën e parandalimit të virusit të rrezikshëm. Shpëtime Kalemi, nëndrejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier është shprehur se "kemi kërkuar që çdo shkollë nëntëvjeçare dhe e mesme në Rrethin e Fierit, një orë në javë t‘ia kushtojë pikërisht njohjes së simptomave të virusit që po kërcënon botën e që prej muajsh është prezent edhe në vendin tonë". Këshilla e parë e dhënë për nxënësit e të gjitha moshave është mbajtja e higjienës personale, ndërkohë që për kushtet higjeno-sanitare të institucioneve arsimore është kërkuar që bashkitë dhe komunat t‘i realizojnë ato brenda një kohë shumë të shkurtër.

"Ndërsa kërkohet higjienë personale dhe në mjedis, kemi konstatuar shumë shkolla që paraqesin me godinat e tyre rrezik më vete, jo vetëm për përhapjen e virusit, por edhe të viruseve të tjera. Ne si institucion kemi kërkuar nga komunat dhe bashkitë që të ndërhyjnë për të siguruar kushtet dhe infrastrukturën e kërkuar", është shprehur Kalemi. Reagimi i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik vjen në këtë prag vjeshte, kur virozat janë më të hasura e për pasojë së bashku me AH1N1 rrezikojnë më tepër institucionet që frekuentohen në mënyrë masive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›