E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaksina, rregullat për t‘u mbrojtur nga viruset e gripit

Pak nga pak, me qese, çanta, kuti apo makina, farmacitë e kryeqytetit po furnizohen me vaksinat e gripit të zakonshëm. Edhe ato të cilat nuk kanë marrë ende dozat e para, presin dhe përcjellin qytetarët, duke mbajtur një regjistër e duke punuar me porosi. Muaji shtator përfundon për pak ditë dhe kështu mbeten pak më shumë se dy muaj për të bërë vaksinën. Farmacitë kryesore të kryeqytetit kanë njoftuar se kanë marrë dozat e para të vaksinave, ato mbërrijnë nga vendet e Bashkimit Europian si Franca apo Greqia. Çmimi i tyre varion nga 1200 deri në 1400 lekë dhe koha në të cilën mund të merren është vetëm sezoni i vjeshtës, më pas nuk janë më të efektshme. Instituti i Shëndetit Publik dhe ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaruan se situata e virozave të stinës, virozave të "çuditshme" apo edhe ndonjë kombinim i gripit të zakonshëm me gripin e derrit, do të ndihen dhe evidentohen në muajt e vjeshtës. Viroza që do të qarkullojë do të jetë e rrezikshme dhe situata do të jetë shqetësuese. Në mungesë të vaksinës së gripit të derrit, por në një kohë kur mund të sigurohet vaksina e thjeshtë e gripit të zakonshëm, Instituti i Shëndetit Publik sugjeron marrjen e saj nga qytetarët në përgjithësi dhe nga kategori specifike në veçanti.

Grupet me rrezik

Vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por këshillohet veçanërisht për disa grupe të popullatës, për arsye të riskut më të lartë për komplikacione nga gripi. Çdo një vit duhet të vaksinohen fëmijët mbi 6 muajsh, ata që frekuentojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla. Personat mbi 60 vjeç. Personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave. Personat që kanë deficite të sistemit imunitar, duhet të vaksinohen vetëm pasi të konsultohen me mjekun. Kategori të tjera të cilët janë vlerësuar nga Instituti i Shëndetit Publik si të "ekspozuar" ndaj gripit janë: personeli shëndetësor, personeli i çerdheve, kopshteve dhe shkollave, qytetarët që për arsye të punës janë të detyruar të udhëtojnë shpesh.

Fëmijët dhe të moshuarit janë një tjetër kategori që duhet të marrin vaksinën. Të sëmurët kronikë dhe njëkohësisht dhe qytetarët që punojnë në ambiente me personel të gjerë duhet të jenë të imunizuar për të parandaluar gripin e këtij viti, i cili, sipas parashikimeve, do të jetë i rëndë dhe me kompikacione të tjera.

Po ashtu, ndërsa janë konfirmuar 31 raste të prekura nga gripi i derrit, në vendin tonë, në një dokument që quajtur "Plan Veprimi", specialistët kanë parashikuar disa kategori të tjera të cilat do të vaksinohen menjëherë pas mbërritjes së vaksinës specifike për AH1N1.

Rekomandimi

Në fillim qytetarët duhet të këshillohen me mjekun e familjes, që në rast se vaksina mund të sjellë komplikacione ajo të mos aplikohet. Më pas bëhet blerja në farmaci, konfirmimi i datës së skadencës. Menjëherë këshillohet të bëhet te mjeku i familjes.

Efekti i mbrojtjes imunitare te personat që aplikojnë vaksinën fillon të shfaqet një javë deri në dy javë pas aplikimit të vaksinës. Vaksina e gripit sezonal është e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë bazuar në survejancën ndërkombëtare dhe vlerësimet e ekspertëve në lidhje me tipat e viruseve në qarkullim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›