Fier, një në tre infermierë rrezikon vendin e punës
Punësimet e reja në sektorin e shëndetësisë kanë kriter kryesor arsimin e lartë. Ky kriter ka nisur të zbatohet edhe për personelin e mesëm. Drejtoresha e grupit spitalor Fier, Donika Alushani, shpjegon se ky kusht vjen pas një urdhri të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Por, nga ky urdhër preken edhe infermierët që janë me arsim të mesëm për këtë degë dhe që kanë një përvojë të konsiderueshme në punë.
Kjo kategori në institucionet shëndetësore të Fierit përbën afro 30 për qind të stafit mjekësor. Pritet që këta punonjës me përvojë të humbasin vendet e punës nëse deri në vitin 2012 nuk do të mund të kryejnë arsimin e lartë.
Urdhri më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë është largimi nga puna i të gjithë infermierëve që janë me arsim të mesëm dhe zëvendësimi i tyre me ata që kanë mbaruar arsimin e lartë.
Zbatimi i këtij vendimi që ka nisur që prej 10 ditësh kërkon të rrisë potencialin intelektual dhe profesional të bluzave të bardha në grupin spitalor të Fierit.
Punësimet e reja në shëndetësi duan patjetër diplomën e arsimit të lartë, pavarësisht përvojës disavjeçare. Donika Alushani shpjegon se që nga vendosja e saj në krye të shëndetësisë fierake, nuk është kryer asnjë punësim pa arsimin e lartë. Alushani hedh poshtë emërimin e infermierëve me shkolla profesionale apo dhe me kurse pas shkollave të mesme. Janë emëruar vetëm infermierë që kanë mbaruar shkolla të larta publike apo jopublike, që janë edhe të akredituara nga ministria përkatëse.
Kërkesat për vende pune janë shumë të larta dhe vazhdojnë të vijnë në çdo kohë. Kjo për faktin se shumë të reja të zonave rurale dhe urbane të Fierit kanë zgjedhur si mundësi për arsimin e lartë degën e Infermierisë, që ofrohet nga universiteti publik “Ismail Qemali” Vlorë, apo dhe nga universitetet private që operojnë si në Fier, ashtu dhe në qytetet fqinje me të.
“Nevojat për emërime të reja në spitalin rajonal të Fierit kanë qenë të pakta, pasi nuk ka pasur heqje nga puna e infermierëve të mëparshëm dhe zëvendësim të tyre me të tjerë. Viti 2012, kur parashikohet edhe afati i fundit për zbatimin e urdhrit të ministrit, shihet si një mundësi e mirë për mbajtjen e vendit të punës nga bluzat e bardha të nivelit të mesëm që janë pa arsimin e lartë”, ka thënë drejtoresha Alushani.
Ajo shpjegon më tej se në spitalin rajon të Fierit kërkesat janë vetëm për infermierë, pasi për mjekët është më e zgjidhur situata, se pa pasur specialitete, nuk merret asnjë prej tyre.
Zbatimi i praktikës së re të punësimit kërkon nga Ministria e Shëndetësisë justifikimin e reformave që priten të zbatohen në këtë sektor dhe motivimin e largimeve në masë të bluzave të bardha në të gjitha kategoritë.